Sport

Kosova kërkon ndaj Ukrainës fitoren e parë në kualifikime

Futsalli - Kosova - perfaqesuesja

Pasi ka humbur dy ndeshjet në udhëtim, përfaqësuesja e Kosovës në futsall (futboll të sallës) kërkon ta fitojë ndeshjen e parë në shtëpi. Por nuk do të jetë “mision” i lehtë.

Kosova të mërkurën përballet me Ukrainën. Ndeshja luhet nga ora 17:00 në palestrën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Ukraina kishte fituar 3:1 ndaj Kosovës në Letoni, javë më parë. Me rezultatin 4:2 e kishte mposhtur Holandën dhe udhëheq në grupin 11 të “Main Round” të kualifikimeve për Botërorin 2024. Kosova kishte humbur edhe nga Holanda, 2:1 dhe është e fundit në grup në kërkim të pikëve të para. Ukraina udhëheq me gjashtë pikë, ndërsa Holanda është e dyta me tri pikë.

Kosova e pret Holandën më vonë, ndërsa ndeshja e fundit e këtyre kualifikimeve është Holandë – Ukrainë. E para në grup avancon në raundin elit, ndërsa e dyta në plejof për kalim në raundin elit. Përfaqësuesja që përfundon e treta, eliminohet.

Te Kosova synojnë fitore ndaj Ukrainës për të mbetur në garë për avancim tutje.

Kosova është përgatitur në Obiliq e Prishtinë për ndeshjen e së mërkurës. Sipas FFK-së, atmosfera në përfaqësuese është pozitive dhe të gjithë shpresojnë në fitoren e parë. Selektori Arben Simitçiu është shprehur optimist.

“Realisht pres fitore dhe do të bëjmë çmos për t’ia arritur qëllimit. Ushtrimet po shkojnë shumë mirë dhe djemtë janë në formë të mirë. Ka kohë që synojmë ta bëjmë një befasi të madhe dhe shpresoj që ka ardhur koha për ta arritur këtë. E kemi bërë video-analizën e ndeshjes me Ukrainën dhe nëse si përsërisim gabimet që na kushtuan në ndeshjen e parë, besoj se do t’i befasojmë. Ekipi është komplet për momentin dhe besoj se edhe në ndeshje do të jemi të kompletuar. ‘Dardanët’ dhe tërë tifozët i ftoj që të na mbështesin në sallë, por edhe nga shtëpitë e tyre, sepse ajo energji pozitive e rrit performancën e ekipit”, ka thënë Simitçiu për FFK-në.

Lojtari Endrit Hajdini shpreson që Kosova të përfitojë nga fakti që luan në shtëpi.

“Jemi përgatitur maksimalisht dhe ekipi është i kompletuar. Meqenëse loja luhet në Prishtinë besoj në përkrahje të fuqishme të tifozëve. Shpresojmë në fitore, ngase e njohim kundërshtarin dhe e kemi analizuar mirë ndeshjen e parë”, ka thënë ai.

Në raundin preliminar kualifikues, Kosova ishte renditur e dyta në grup, pas Armenisë. Prapa kishte lënë Bullgarinë dhe Skocinë. Kështu ka kaluar në raundin kryesor të kualifikimeve, ku deri më tani ka pasur rezultate negative.