Sport

Grupi E: Synimi i madh i Japonisë

Objektivi i Japonisë në Kupën e Botës do të jetë të thyejë mallkimin për ta kaluar 1/8 e finales. Japonezët do të paraqiten në Kupën e Botës të shtatë radhazi. Tri herë ekipi ka arritur në 1/8 së finales. Por nuk ka shkuar kurrë më tej.

Japonia humbi nga Belgjika 3:2 katër vjet më parë, u eliminua nga Paraguai me penallti në vitin 2010 dhe pësoi nga Turqia 1:0 në vitin 2002, kur ishte bashkorganizatore e ngjarjes me Korenë e Jugut. Përzgjedhësi i Japonisë, Hajime Moriyasu, tha se synimi këtë herë është të arrihet kalimi në çerekfinale. Por nuk do të jetë aspak e lehtë. Japonia është në Grupin E me Gjermaninë, Spanjën dhe Kosta Rikën – ndoshta grupi më i vështirë në Botërorin e Katarit. Dy përfaqësueset evropiane janë gjithmonë ndër favoritët për të fituar Kupën e Botës dhe Kosta Rika arriti në çerekfinale në vitin 2014 në Brazil. Gjermania e ka fituar katër herë këtë turne dhe Spanja në vitin 2010.

“Unë nuk mendoj se mund të fitojmë duke bërë të njëjtat gjëra që kemi bërë në gjashtë turnetë e fundit”, tha Moriyasu. “Ne duhet të jemi në gjendje të funksionojmë dhe të garojmë pavarësisht se kush është në fushë përballë”.

Rotacioni

Pas paraqitjes së dy formacioneve krejtësisht të ndryshme për miqësoret e shtatorit kundër SHBA-së dhe Ekuadorit, mbetet për t'u parë se kë do të zgjedhë saktësisht Moriyasu për t'u përballur me Gjermaninë në ndeshjen hapëse më 23 nëntor. Shuichi Gonda ka të ngjarë të startojë në portë, me Takahiro Tomiyasun e Arsenalit dhe Maya Yoshidan në qendër të mbrojtjes. Kapiteni i Stuttgartit, Wataru Endo dhe Hidemasa Morita do të jenë lider të mesfushës. Daichi Kamada, i cili ka pasur një sezon pozitiv për fituesin në fuqi të Ligës së Evropës, Eintracht Frankfurt, po shfaqet si organizator fantastik. Junya Ito duhet ta mbështesë atë në të djathtë, megjithëse falë shpejtësisë ai mund të luajë përpara nëse Moriyasu zgjedh opsione të tjera përveç qendërsulmuesit të dëshmuar Yuya Osako.

Ito dukej të ishte lojtari më kërcënues në fushë në humbjen 1:0 të Japonisë nga Brazili në Tokio në fillim të këtij viti. Është e pasigurt nëse Takefusa Kubo, fytyra e ekipit olimpik të Tokios te Japonia, dhe Kaoru Mitoma do të gjejnë një vend në ekip ose do të dalin nga stoli për të shpërthyer. Japonia humbi ndeshjen e medaljes së bronztë olimpike ndaj Meksikës, 3:1. Kjo skuadër japoneze mund të jetë lehtë pa shumë përvojë në Kupës së Botës. Me shumë vende në dispozicion, përzgjedhësi Moriyasu mund të marrë veteranë si portieri Eiji Kawashima dhe mbrojtësi Yuto Nagatomo për t’i vendosur në stol dhe për të qetësuar lojtarët më të rinj.

Duartrokitjet dhe Daniel Schmidt

Japonia tregoi në Kupën e Botës 2018 në Rusi se është e aftë të mposhtë skuadrat më të mira në botë. Japonia udhëhoqi 2:0 ndaj Belgjikës pas 52 minutash, por më pas ra nga ritmi dhe e humbi ndeshjen 3:2 me një gol të shënuar në kohën shtesë. Belgjika arriti në gjysmëfinale përpara se të humbiste nga kampionia Franca. Për shumë njerëz, gjëja më e jashtëzakonshme në lidhje me ndeshjen ishte që Japonia – pavarësisht humbjes dërrmuese – bëri një punë të mrekullueshme në pastrimin e dhomës së zhveshjes dhe la një mesazh falënderimi në rusisht për mikpritësit. Edhe tifozët japonezë morën mbeturinat në stadium, duke mbushur qese plastike pas humbjes nga Belgjika.

Ai ka emrin më jojaponez - portieri Daniel Schmidt. Ai lindi në SHBA nga një baba gjerman dhe nënë japoneze, por u rrit në Japoni.

Schmidt doli me disa pritje vendimtare në një ndeshje përgatitore për Kupën e Botës, barazimin 0:0 me Ekuadorin në shtator. Ai ka të ngjarë të kandidojë me Gondan për vendin e titullarit në portë. Schmidt bashkohet me tenisten Naomi Osaka dhe Rui Hachimura e NBA-së, si sportistët japonezë me të paktën një prind jojaponez. Osaka ndezi kazanin në Lojërat Olimpike të Tokios të vitit të kaluar dhe Hachimura mbajti flamurin japonez në ceremoninë e hapjes. Sportistët si Schmidt, Osaka dhe Hachimura përfaqësojnë prejardhje multikulturore në një vend të njohur për homogjenitetin.