Sport

Grupi D: Tunizia kërkon avancimin e parë në Botëror

Descriptive Text

Përzgjedhësi i Tunizisë, Jalel Kadri, e quan “ambicie të tij personale” që ta çojë ekipin në fazën nokaut të Kupës së Botës për herë të parë. Ai fitoi Kupën Kirin në qershor, por la të kuptohet se mund të largohej nëse Tunizia nuk arrin të dalë nga faza e grupeve në Katar. E ky mision nuk do të jetë aspak i lehtë për Tunizinë.

“Është ambicia ime personale. Nëse nuk ia dalim, nuk do të kem sukses në misionin tim, pavarësisht se sa e vështirë është detyra”, tha Kadri. “Ne duam të realizojmë ëndrrën tonë dhe të kalojmë në raundin e eliminimit në tentimin e gjashtë”.

Misioni i përzgjedhësit Kadri mund të mos përmbushet. Tunizia bën pjesë në Grupin D të Kampionatit Botëror, i cili nis më 20 nëntor. Tunizia përballet me kampionen në fuqi, Francën – e cila krenohet me një sulm të frikshëm të përbërë nga Kylian Mbappe dhe fituesi i “Topit të Artë”, Karim Benzema – gjysmëfinalisten e Kampionatit Evropian, Danimarkën dhe Australinë.

“Ne jemi shumë realistë. Megjithatë, unë do t'u përcjell lojtarëve një mesazh optimizmi dhe ambicieje, edhe pse e di që misioni është i vështirë”, tha Kadri. “Gjëja më e rëndësishme është të dish t’i përballosh momentet e vështira në një lojë”.

Në këtë grup rolin e favoritëve për të avancuar tutje e mbajnë Franca e Danimarka.

Synimi i madh

Tunizianët nuk e kanë kaluar kurrë fazën e grupeve, në pesë paraqitje në Kupën e Botës. Kanë pasur vetëm dy fitore në total - e para kundër Meksikës në vitin 1978 dhe më pas kundër Panamasë katër vjet më parë në Botërorin e mbajtur në Rusi. Whabi Khazri, i cili shënoi kundër Panamasë dhe shtoi një tjetër gol në turneun e vitit 2018, do të jetë sërish kërcënimi kryesor në sulm te Tunizia. Ai ka shënuar 24 gola ndërkombëtarë. Seifeddine Jaziri ka një bilanc të mirë ndërkombëtar prej 10 golash në 28 ndeshje dhe vepron në mënyrë efektive si qendërsulmues, ndërsa mesfushori me tipare sulmuese, Saif-Eddine Khaoui, ka filluar të përmbushë premtimin e tij në moshën 27-vjeçare. Khaoui u vlerësua shumë kur hyri në ekipin e Marseillet gjashtë vjet më parë, por forma e tij ndryshoi shumë pasi u huazua nëpër klube më pak të njohura. Mesfushori i gjithanshëm ka gjetur sërish qëndrueshmëri me klubin francez Clermont, me dy gola dhe dy asistime këtë sezon.

Ndeshjen e parë në Botëror, Tunizia e luan kundër Danimarkës më 22 nëntor, përpara se të përballet me Australinë katër ditë më vonë dhe më pas me Francën më 30 nëntor, në ndeshjen e fundit të grupit. Tunizia është përgatitur në rrugën e vështirë, duke u përballur me pesë herë kampionin e Botës, Brazilin, në një miqësore para rreth një muaji në Paris.

Shpresat dhe miqësorja e humbur thellë

Shpresat u rritën shumë te Tunizia kur pjesën e parë ndaj Brazilit e mbylli me rezultatin 1:1. Megjithatë, në të dytën, tunizianët nuk arritën ta përballojnë Brazilin që realizoi katër gola. Në fund rezultati ishte 5:1 në miqësoren e luajtur në fund të shtatorit. Kjo miqësore ka bërë që përzgjedhësi Kadri të punojë shumë në përmirësimin e ekipit para shkuarjes për në Katar.

“Ne duhet të vendosim për një strategji që është e qartë në Botëror dhe besoj se deri atëherë do të korrigjojmë gabimet tona, qofshin ato individuale apo kolektive”, tha Kadri, i cili u promovua nga pozita e ndihmësit pasi Tunizia shkarkoi Mondher Kebaierin. “Sidomos në nivelin taktik duhet të jemi më të mirë, sa i përket lojës sonë pozicionale dhe fazave tona të lojës, veçanërisht në mbrojtje”.

Mënyra se si Neymari dhe Richarlisoni e ndanë mbrojtjen e Tunizisë nuk jep shumë shpresa në Botëror, duke pasur parasysh se skuadra do të duhet të merret me ritmin e Mbappes, mashtrimet e Benzemas dhe aftësinë e Antoine Griezmannit për të shënuar gola.

“Kundër një ekipi të këtij niveli, qoftë Brazili apo Franca, nuk mund të lini kurrë hapësirë”, tha Kadri. “Duhet të ruajmë përqendrimin. Duhet të qëndrojmë të vëmendshëm dhe ta zvogëlojmë hapësirën sa më shumë që të jetë e mundur”.

Kadri beson se nëse Tunizia paraqitet mirë në dy ndeshjet e para të grupit, atëherë mund ta përballojë edhe Francën përpara se të avancojë në fazën tjetër.