Sport

Grupi C: Meksika e sfiduar nga lëndimet dhe grupi i vështirë në Katar

 

A do të jetë ky viti që Meksika të kapërcejë më në fund mallkimin e Kupës së Botës “quinto partido”? Ka shumë pengesa për “El Tri” për të arritur deri atje. Meksika ka përjetuar edhe paraqitje të dobëta kohët e fundit dhe një sërë lëndimesh të lojtarëve kyç, ndërsa skuadra përgatitet për Kupën e Botës. Dhe, meksikanët janë në një grup të vështirë në Katar. Meksika ka arritur në rundin eliminator në secilën nga shtatë Kupat e Botës së fundit, por nuk ka arritur në çerekfinale – “quinto partido” ose ndeshjen e pestë.

“Ne duhet të shkojmë atje me një mentalitet shumë të fortë, me një motivim shumë të fortë që mund të shkruajmë historinë në Katar”, tha mesfushori Hector Herrera, i cili luajti për Atletico Madridin përpara se të nënshkruante me Houston Dynamon në MLS këtë vit. Raul Jimenez, i cili luan si sulmues për Wolverhamptonin, është duke vuajtur nga një dëmtim në ijë. Dhe, Jesus “Tecatito” Corona, i cili luan për Sevillan, ka një frakturë të fibulës që mund ta mbajë jashtë Kupës së Botës. Megjithatë, si Jimenez, ashtu edhe Corona janë përfshirë në listën preliminare të Meksikës. Të dy munguan në dy miqësoret e fundit në Kaliforni së bashku me Herreran, Rogelio Funes Morin, Jorge Sanchezin e Luis Romon. Meksika mposhti Perunë 1:0, por pësoi nga Kolumbia 3:2. Ka edhe dy ndeshje të tjera të akorduara kundër Irakut dhe Suedisë në Spanjë përpara se të shkojë në Katar. Meksika përfundoi e dyta në kualifikimet e CONCACAF-ut pas Kanadasë – dhe përpara SHBA-së – por skuadra e përzgjedhësit Tata Martino shënoi vetëm katër gola në pesë ndeshjet e fundit kualifikuese, pavarësisht se kishte në dispozicion edhe Jimenezin dhe Coronan. Pas dy miqësoreve në Kaliforni, Meksika i ka fituar vetëm dy nga shtatë ndeshjet e fundit.