Sport

FBK-ja inicion procedurë disiplinore ndaj Vëllaznimit për djegien e flamurit të Serbisë

Federata e Basketbollit të Kosovës ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj KB Vëllaznimit për djegien e flamurit të Serbisë në ndeshjen e vikendit të kaluar që ndodhi në Gjakovë kundër KB Trepçës.

Në sqarimin e FBK-së të mërkurën thuhet se FBK-ja në informatorin e publikuar për xhiron e shtatë, ku e ka dënuar Vëllaznimin me 400 euro për anim josportiv, është bazuar në raportin e vëzhguesit dhe deklaratat e gjyqtarëve të ndeshjes.

Sa i përket incidentit në Gjakovë ku është djegur flamuri i Serbisë, FBK-ja ka shtuar se ka ndodhur para fillimit të ndeshjes dhe vëzhguesi nuk e ka parë se për cilin flamur bëhet fjalë.

“Klasifikimi si ‘leckë’ në asnjë mënyrë nuk nënkupton cilësim të FBK-së për flamurin e Serbisë, por është formë evidentimi e një incidenti, pa paragjykuar simbolikën ose peshën e aktit të djegies. Për më tepër, FBK dëshiron të qartësojë se në transmetimin direkt nuk është pasqyruar incidenti në fjalë, dhe në raportin 24 orësh të Policisë, përmenden raportimet për djegien e një flamuri, pa specifikuar më tutje. Rrjedhimisht në informatorin nr 7, Komisioni i Garave e ka dënuar KB Vëllaznimin me 400 Euro për anim josportiv, në bazë të Propozicioneve të Garave. FBK po ashtu konfirmon se ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj KB Vëllaznimi lidhur me këtë incident dhe për masa disiplinore, do të vendosë brenda afateve të parapara me Rregullore Disiplinore, Rregullores së Garave, dhe akteve tjera normative të FBK-së”, thuhet ndër të tjera në sqarimin e FBK-së.

Të martën edhe Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka iniciuar rast penal për hetimin në lidhje me incidentin e lartpërmendur.

Tifozët e Vëllaznimit të Gjakovës, “Kuqezinjtë e Jakovës”, kanë djegur flamurin e Serbisë në ndeshjen e luajtur të dielën mbrëma në palestrën “Shani Nushi”.

Lidhur me këtë rast kishin shkruar mediat në gjuhen serbe në Kosovë dhe mediat në Serbi, të cilat e kishin vlerësuar skandal.

Nga tifo-grupi gjakovarë kanë deklaruar se tashmë ka edhe të arrestuar. Ky tifo-grup ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen do të veprojë njëjtë.