Sport

Dijon Kameri, talenti i Salzburgut që krahasohet me Bruno Fernandesin

Mesfushori 18-vjeçar tashmë po ka ndikim në ekipin e parë, pasi luajti në finalen e UEFA Youth League të sezonit të kaluar. Pavarësisht nëse janë nga Evropa, Afrika apo edhe nga Amerika e Jugut, Red Bull Salzburgu ka strategji mjaft të qartë kur bëhet fjalë për zhvillimin e të rinjve të talentuar: të rekrutojë lojtarë nga mesi deri në fund të adoleshencës, t'u japë atyre mundësi për t'u përmirësuar dhe për të luajtur futboll evropian, përpara se t’i shesë për një fitim të mirë.

Erling Haaland mbetet pika kryesore e këtij procesi, ndërsa lojtarët si Patson Daka, Karim Adeyemi dhe Benjamin Sheshko janë dëshmi se rruga e Salzburgut për zhvillimin e të rinjve mbetet e qëlluar. Megjithatë, Salzburgu nuk ka reputacion për nxjerrjen e lojtarëve të tij, individë që kanë mësuar mënyrën e Red Bullit që në moshë të re dhe kanë kaluar nëpër rangjet e akademisë përpara se të luanin për ekipin e parë. Dijon Kameri mund të jetë gati për ta thyer akullin duke u bërë lojtari i parë i suksesshëm që ka dalë nga akademia e klubit. Mesfushori 18-vjeçar është futur “me forcë” në skuadrën e seniorëve këtë sezon dhe tashmë po lë përshtypje te kampioni austriak me aftësitë e futbollit.

Ku nisi e gjitha

I lindur në Austrinë lindore dhe me origjinë shqiptare, talenti i Kamerit në futboll u vu re për herë të parë kur ai po luante në një turne shkollor rreth moshës shtatëvjeçare. Skautët e Salzburgut morën parasysh aftësinë e tij dhe e ftuan për një provë, përpara se ta regjistronin në sistemin e akademisë së klubit në vitin 2012. Kameri – i cili tërhoqi interesim nga klubet e tjera evropiane me kalimin e viteve – kaloi gradualisht nëpër ekipet e grupmoshave të Salzburgut, duke bërë debutimin për U18 si 16-vjeçar në fillim të sezonit 2020/21. Kameri ishte kapiten i Përfaqësueses U17 të Austrisë më vonë atë muaj, pasi konsiderohej tashmë talent i jashtëzakonshëm i brezit të tij.

Shpërthimi

Ashtu si për shumë nga lojtarët e rinj të Salzburgut – të rritur në akademi apo të rekrutuar – shija e parë e Kamerit në futboll erdhi te FC Liefering, klubi i divizionit të dytë që vepron si ekipi rezervë i Salzburgut.

Kameri bëri debutimin në gusht të vitit 2021 dhe ishte titullar i rregullt gjatë gjithë sezonit të kaluar. Statistikat e tij si sulmues nuk ishin edhe aq tërheqëse, pasi shënoi vetëm një gol e dha vetëm katër asistime në 22 ndeshje. Ishte një histori ndryshe në Ligën e të rinjve të UEFA-s, ku Kameri u rrit shumë për shkak të një numri paraqitjesh mbresëlënëse ndërsa Salzburgu arriti në finale të kësaj gare. Sërish, efikasiteti i Kamerit në sulm nuk ishte aq mbresëlënës – dy gola dhe dy asistime në tetë ndeshje. Por mënyra se si ai diktonte ndeshjet me topin në këmbë dhe vizionin e lojës, i lejoi ekipit austriak të shkonte larg në këtë turne. Ndonëse Salzburgu u mposht 6:0 në finale nga Benfica, paraqitjet e Kamerit e vendosën atë në radarin e mediave dhe skautëve. Nuk ishte befasi kur atij iu dha kontrata e re katërvjeçare në verën e këtij viti, ndërsa u promovua zyrtarisht në ekipin e parë të Salzburgut.

Si po ia del me ekipin e parë?

Kameri nuk priti shumë për të bërë debutimin me ekipin e parë dhe u sigurua që debutimi të mbahej mend. Shënoi një gol dhe asistoi në paraqitjen 24-minutëshe kundër Austria Lustenaut më 17 gusht. Ai vazhdoi duke shënuar një gol mahnitës në Kupën e Austrisë në ndeshjen e tij të parë si titullar, disa ditë më vonë, pasi fitoi shpejt besimin e trajnerit Matthias Jaissle.

Ky besim ishte i qartë kur Kameri u zgjodh në formacionin e Salzburgut për ndeshjen hapëse të sezonit në Ligën e Kampionëve, duke e bërë atë lojtarin e dytë më të ri nga Austria që ka startuar ndonjëherë në këtë garë, pas David Alabas. Ai gjithashtu u inkuadrua nga banka e rezervistëve në barazimin e Salzburgut kundër Chelseat një javë më vonë, por ka luajtur vetëm një herë që atëherë pasi pësoi një dëmtim në shpatull. Luajti nga minuta e 82-të në ndeshjen në shtëpi ndaj Chelseat.

Fuqia e tij më e madhe

Një mesfushor që luan me këmbën e djathtë, i cili mund të luajë si numër 10 ose 8, por është një aftësi tjetër që përcakton lojën e Kamerit: pasimi i topit. Pavarësisht se ku merr topin në fushë, mendimi i parë i Kamerit është të shikojë përpara dhe të shohë nëse mund të luajë me sulmuesin pas mbrojtjes, qoftë me pasim përtokë apo sipër. Syri i tij për hapësirën më të vogël për të kaluar topin është befasues për një lojtar me kaq pak përvojë. Ai ka aftësi të shkëlqyera gjuajtjesh nga distanca, ndërsa vitet e tij në sistemin e Salzburgut e bëjnë një eksponent të jashtëzakonshëm të presionit të lartë. Ai mund të shihet rregullisht duke “grabitur” topin nga mbrojtësit kundërshtarë ose nga mesfushorët të vendosur thellë në pozicione të rrezikshme.

Hapësira për përmirësim

Nëse ka një element të lojës që Kameri duhet ta përmirësojë është numri i golave dhe i asistimeve, veçanërisht duke pasur parasysh se sa ndikim mund të ketë në këtë aspekt. Natyrisht, analizat moderne mund të matin ndikimin e një lojtari pa statistika të tilla të papërpunuara, por nuk ka dyshim se lojtarët më të mirë janë ata që japin rregullisht kontribute të drejtpërdrejta që topi të shkojë në rrjetë. Në të vërtetë, Kameri mund të bëjë pak më shumë kur vjen puna për të krijuar shanse për të tjerët, me asistime për personin që përfundon shansin, por duket qartë se ka vend në lojën e tij që të shtojë më shumë gola. Shumë nga goditjet e tij vijnë nga distanca dhe për ta çuar lojën në nivel tjetër, Kameri ka të ngjarë të detyrohet të mësojë të futet në zonën e penalltisë më shpesh për t'iu dhënë fundin lëvizjeve në të cilat mund të ketë qenë i përfshirë më herët në ndërtimin e lojës së Salzburgut.

Bruno Fernandesi i ardhshëm...

Megjithëse nuk mund të bëhet një krahasim direkt, ka diçka nga Bruno Fernandes për mënyrën se si Kameri pret me padurim të luajë me shokët e skuadrës. Të dy të përshtatshëm për skuadrat që kryesisht kundërsulmojnë, por gjithashtu mund të futen në skuadrat e bazuara në zotërimin e topit, Kameri ka pa dyshim mjetet e papërpunuara për të arritur dhe kaluar portugezin Fernandes ndërsa zhvillohet karriera e tij. Aftësia e Kamerit për të bërë presion, së bashku me aftësitë e tij me top, të sjellin në mendje edhe anglezin Mason Mount. Dhe duke pasur parasysh edukimin e tij në Salzburg, adoleshenti ka të ngjarë të jetë po aq efikas sa ylli i Chelseat dhe Anglisë.

Çka sjell e ardhmja?

Nëse Kameri mund të rikuperohet nga lëndimi dhe të dëshmojë përgatitjen fizike me kohë, atëherë ka mundësi që të fitojë thirrjen e parë ndërkombëtare për ndeshjet miqësore të Përfaqësueses A të Austrisë në muajin nëntor kundër Andorrës dhe Italisë.

“Kameri po bën shumë mirë. Nuk do të habitesha nëse ai do të jetë titullar i padiskutueshëm te Salzburgu sezonin e ardhshëm”, tha selektori Ralf Rangnick për “Salzburger Nachrichten” në shtator. “Nëse ai është titullar, atëherë do të jetë më të vërtetë një lojtar interesant për ekipin përfaqësues”.

Sigurisht që do të ketë edhe klube të tjera që do të tregojnë interesim për përparimin e Kamerit, edhe pse Salzburgu rrallëherë nxiton të shesë pasi më shumë i pëlqen të shohë një lojtar në kulmin e zhvillimit të tij përpara se ta lejojë të largohet. Kjo duhet të nënkuptojë që tifozët e Salzburgut të shijojnë shumë më tepër “fëmijën” e tyre të mrekullueshëm, përpara se ai të bashkohet me Haalandin dhe Adeyemin në fluturimin nga foleja për t'u bashkuar me një nga klubet vërtet elitare të Evropës.