Sport

Fury – Usyk po planifikohet për mars, Arabia Saudite destinacion i mundshëm

Tyson Fury vs Oleksandr Usyk

Tyson Fury pritet të përballet me Oleksandr Usykun në Arabi Saudite në marsin e vitit të ardhshëm, në meçin unifikues për të gjithë titujt e mëdhenj të botës në peshën e rëndë në boks profesionist, shkruan “The Sun”.

Fury po përgatitet që të përballet me Derek Chisoran më 3 dhjetor në stadiumin e Tottenhamit.

Por ekipi i Furyt është duke menduar qysh tash për luftën e radhës dhe mendjen e ka te përballja me Usykun.

Ukrainasi Usyk ka mbrojtur titujt e botës në versionet WBA, WBO, IBF dhe IBO në gusht, duke e mposhtur për herë të dytë Anthony Joshuan.

Pas fitores ndaj Joshuas, Fury, që ka titullin e versionit WBC, ftoi Usykun për një përballje.

Bisedimet mes dy palëve po zhvillohen për një duel në mars në Arabi Saudite, shkruan “ESPN”.

Presidenti i Top Rank, Todd DuBoef, po ashtu ka folur për një përballje të mundshme mes Furyt dhe Usykut, duke thënë se të dy boksierët e duan këtë luftë.

Fury ka thënë se Usykun do ta nokautonte në katër runde, por ai dha një kohë shumë të shkurtër për të arritur marrëveshje, ndërsa kërkoi edhe 500 milionë funte.

Usyk reagoi duke e quajtur Furyn të çmendur dhe e akuzoi atë se “po ia mohon tifozëve një meç historik”.

Nëse arrihet marrëveshja, do të jetë hera e parë që zhvillohet një luftë për të katër titujt e mëdhenj të botës në peshën e rëndë në boks.