Sport

Augsburgu fiton një pikë falë shkëlqimit të Berishës

Mërgim Berisha ka shkëlqyer në barazimin e Augsburgut të shtunën në shtëpi ndaj Leipzigut.

Augsburgu barazoi me rezultatin 3:3 në kuadër të xhiros së 11-të të Bundesligës.

Berisha shënoi një gol ndërsa asistoi në dy të tjerë.

Sulmuesi 24-vjeçar realizoi gol nga penalltia në minutën e 34-t, ndërsa asistoi për Ermedin Demiroviqin në minutën e 51-të, dhe për Ruben Vargasin në minutën e 64-t.

Berisha iu bashkua Augsburgut në fillim të sezonit si i huazuar nga Fenerbahçe. Ai ka shënuar dy gola dhe ka katër asistime.

Në takimin e fundit luajti deri në minutën e 74-t.

Leipzigu barazoi rezultatin në dy minutat e fundit kur shënoi me Christopher Nkunkun dhe Hugo Novoa Ramosin, në minutën e 89-të dhe të 90-të.

Ndërkohë, Elvis Rexhbeçaj e kompletoi një tjetër ndeshje në Bundesligë.

Augsburgu në 11 ndeshje ka 14 pikë.