Sport

Ten Hag insiston se Ronaldo duhet të përballet me pasojat

Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, ka thënë se patjetër që “duhet të ketë pasoja”, pasi konfirmoi se Cristiano Ronaldo refuzoi të hyjë si zëvendësues kundër Tottenhamit të mërkurën mbrëma. Ronaldo 37-vjeçar, u largua për në zhveshtore pa përfunduar ndeshja mes Unitedit dhe Tottenhamit që u zhvillua në “Old Trafford”. Ai në minutën e 89-të u pa të largohej drejt tunelit derisa Manchester Unitedi triumfoi me shifrat 2:0.

Për shkak të këtij veprimi, Ronaldo është dënuar nga klubi. Ai është përjashtuar për ndeshjen e së shtunës kundër Chelseat dhe po stërvitet i vetëm.

I pyetur drejtpërdrejt të premten nëse Ronaldo refuzoi të hynte në lojë ndaj Tottenhamit, Ten Hag tha: “Po”.

Ten Hag shtoi se portugezi kishte bërë të njëjtën gjë në pjesën e parë të ndeshjes miqësore kundër Rayo Vallecanos në përgatitjet para fillimit të sezonit. Pasi të veproi në të njëjtën mënyrë edhe ndaj Tottenhamit, holandezi insistoi se ndjeu qe duhej të ndërmerrte masa urgjentisht ndaj Ronaldos. Sipas Ten Hagut, Ronaldo duhej të disiplinohej që ai si trajner mos të ketë situata të ngjashme në të ardhmen prej lojtarëve tjerë. Ten Hag tha se të premten ka biseduar personalisht me Ronaldon, të cilin ende e vlerëson si pjesë të rëndësishme të ekipit.

“Biseda është mes meje dhe Cristianos. Deklarata është e qartë. Është gjithashtu në deklaratë se ai mbetet pjesë e rëndësishme e skuadrës. Unë jam menaxher, unë jam përgjegjës për kulturën këtu. Unë duhet të vendos standarde dhe vlera dhe duhet t'i kontrolloj ato. Jemi në një ekip”, insistoi Ten Hag.

“Pas Rayo Vallecanos thashë se ishte e papranueshme, por nuk ishte vetëm ai. Herën e dytë duhet të ketë pasoja. Kështu ka ndodhur. Na mungon për ndeshjen e radhës, kjo është një mungesë për ne dhe skuadrën, por mendoj se është e rëndësishme për qëndrimin dhe mentalitetin e grupit dhe tani duhet të fokusohemi te Chelsea – kjo është më e rëndësishmja”.

Veprimet e Ronaldos janë kritikuar gjerësisht, me prezantuesin e programit “Ndeshja e ditës”, Gary Lineker që i quajti “të papranueshme”. Ndërsa, ish-portieri i Manchester Unitedit, Peter Schmeichel tha se kjo ishte hera e parë që ai ishte “i zhgënjyer” nga lojtari.

“Veprimi i Ronaldos më ka zhgënjyer shumë. Nuk mund ta paramendoj se Ronaldo veproi në atë mënyrë. Kjo është e papranueshme”, ka insistuar Schmeichel.

Të enjten mbrëma Ronaldo tha se “nxehtësia e momentit” e kishte pushtuar, megjithëse ai nuk kërkoi falje për largimin para përfundimit të ndeshjes.

Mediumet angleze kanë raportuar se tek Unitedi po mendojnë që Ronaldos t’ia shkëpusin kontratën në janar të vitit të ardhshëm. Ai verën e shkuar iu bashkua Unitedit nga Juventusi dhe firmosi kontratë deri në verën e vitit 2023, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Ronaldo ka shënuar vetëm një gol në tetë paraqitje në Premier League këtë sezon dhe gjithashtu tregoi pakënaqësinë e tij që u zëvendësua në barazimin 0:0 të së dielës në shtëpi me Newcastle Unitedin.

Manchester Unitedi shkon në ndeshjen e së shtunës në stadiumin “Stamford Bridge” me vetëm një pikë prapa Chelseat në vendin e pestë dhe trajneri Ten Hag tha se lojtarët e tij nuk do të hutohen nga drama e kësaj jave.

“Këto gjëra ndodhin. Pra, janë pjesë e futbollit elitar. Ka thashetheme dhe zhurmë dhe nuk mund të shpërqendroheni, duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe të marrim një rezultat të mirë ndaj Chelseat”, u shpreh Ten Hag.