Sport

Ylli i motivuar para duelit të vështirë me Chemnitzin në Gjermani

Fitorja e fundit në Superligën e Kosovës në basketboll e ka motivuar Golden Eagle Yllin para duelit të dytë në FIBA Europe Cup.

Ylli të dielën e mposhti në Mitrovicë skuadrën e Trepçës për ta regjistruar fitoren e dytë këtë edicion në kampionat, pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara. Ndërsa të mërkurën skuadra suharekase do të përballet në Gjermani me Niners Chemnitz, në kuadër të Grupit A të FIBA Europe Cup. Kjo ndeshje luhet në palestrën “Arena of BG” dhe fillon në ora 20:00.

Si Ylli, ashtu edhe Niners Chemnitz e nisën me humbje fazën grupore. Chemitzit u mposht nga rivali i Bundesligës, Brose Bamberg, ndërsa Ylli si vendas pësoi thellë nga Hapoel Galil Elioni (93:76) në duelin e luajtur në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Tek Ylli kanë pranuar se Chemnitzi është favorit në këtë përballje, por kanë insistuar se triumfi ndaj Trepçës është një sinjal se kampioni në fuqi po kthehet fuqishëm.

Amerikani i natyralizuar i Yllit, Malcolm Armstead, u kthye ndaj Trepçës nga lëndimi që e pësoi në xhiron e parë dhe ishte ndër më të dalluarit me 16 pikë. Kthimi i Armsteadit ka bërë që trajneri Adis Beqiragiq ta ketë gati të kompletuar ekipin, ndonëse është në pritje edhe të kapitenit Gëzim Morina, që pothuajse është rikuperuar plotësisht. Morina këtë edicion ende nuk e ka regjistruar asnjë paraqitje.

“Synimi ynë është shumë i qartë për duelin që e kemi me kundërshtarin nga Gjermania. Ne duam të bëjmë një paraqitje të mirë dhe nëse na jepet mundësia, edhe ta fitojmë ndeshjen. Megjithatë nuk do të jetë aspak e lehtë për shkak se të gjithë kundërshtarët në këtë garë janë shumë të fortë. Ne jemi përgatitur mirë dhe jemi gati t’i tregojmë vlerat tona si ekip”, është shprehur Armstead për KOHËN. “Ne jemi përmirësuar dukshëm nga ndeshja në ndeshje dhe këtë e dëshmuam në duelin e fundit të cilin e fituam. Ishte një fitore e mirë dhe shumë e rëndësishme për ne. Kemi pasur nevojë për atë fitore për ta ngritur moralin. Tani ajo ka marrë fund dhe të motivuar futemi në ndeshje kundër Chemnitzit. Është e rëndësishme të bëjmë një ndeshje të mirë”.

Skuadra gjermane për duelin kundër Yllit do të jetë e dobësuar. Prej Chemnitzit tashmë është larguar amerikani Shonn Miller, ndërsa para tij edhe Matt Mooney. Miller në duelin e xhiros së parë realizoi nëntë pikë e tetë kërcime. Trajneri i Chemnitzit, Rodrigo Pastore, ka thënë se amerikanët nuk u përshtatën në ekipin e tij. Ai shtoi se ndaj Yllit mund të paraqiten edhe pa përforcimet që i kishte bërë në fillim të këtij edicioni.

“Ne kemi nevojë për një ekip të fuqishëm dhe për këtë arsye i kemi kërkesat e larta. Miller nuk u përshtat në sistem dhe për këtë arsye nuk do të jetë pjesë e ekipit, së bashku me Matt Mooneyn. Po besoj se dy ndeshjet e ardhshme, me Yllin në FIBA Europe Cup dhe Wurzburgun në kampionat, mund t’i përballojmë pa përforcime. Fokusi është te ndeshja e radhës në të cilën është shumë e rëndësishme përkrahja e tifozëve. Ata e ndihmojnë shumë ekipin dhe këtë do ta dëshmojnë në këtë ndeshje”, ka thënë Pastore.

Ndeshja tjetër e këtij grupi është ajo ndërmjet Hapoelit dhe Bambergut, e cila zhvillohet prej orës 16:30. Golden Eagle Ylli është ekipi i vetëm nga Kosova që këtë edicion po paraqitet në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Ylli e shfrytëzoi të drejtën për të marrë pjesë në këtë garë, pasi u eliminua në çerekfinale të turneut kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Për Yllin e Suharekës kjo është hera e parë që po paraqitet në garat e FIBA-s. Ylli e ka fituar titullin e kampionit në Kosovë në dy edicionet e fundit.