Sport

Istogut nuk i mjaftoi fitorja e parë, ndalet nga Çairi në Kupën Evropiane

Ndonëse të shtunën shënoi fitore, Istogu është ndalur në raundin e dytë të Kupës Evropiane për hendbolliste.

Istogu të dielën pësoi nga Çairi i Shkupit me shifrat 33:26 dhe kështu u eliminua. Të shtunën istogaset kishin fituar me rezultat 34:33.

Të dy ndeshjet janë luajtur në Istog. Në palestër kishte numër të madh të shikuesve, por ky fakt nuk ka ndihmuar kampionin kosovar.

Të dielën në ndeshjen e dytë, Çairi ka dominuar nga fillimi. Ka mbajtur epërsi bindëse në shumicën e kohës. Çairi është skuadër shqiptare nga Shkupi. Ka në përbërje edhe shumë lojtare të huaja, njëjtë si Istogu.

Marija Nikolovska ka udhëhequr Çairin me tetë gola nga nëntë tentime. Ameka Gjamkiq i kishte gjashtë gola nga tetë tentime. Teodora Gulicoska dhe Stefanija Gjorgjievska shënuan nga pesë gola. Magdalena Kojoviq kishte tetë pritje.

Tek Istogu, Tainara Luna Goncalves ishte më efikasja. Braziliania ndeshjen e mbylli me tetë gola. Por kishte plot 16 tentime. Arlinda Dinarica shënoi shtatë gola nga tetë tentime, kurse Dayane Da Rocha shënoi shtatë gola nga dhjetë tentime. Njomza Kelmendi i kishte tetë pritje, ndërsa Blerta Ahmetxhekaj i kishte katër pritje.

Çairi ishte rivali i parë i Istogut në këtë edicion të garave evropiane. Kupa Evropiane është niveli i tretë.

Në fakt skuadrat kosovare kanë dështuar plotësisht këtë edicion në gara evropiane në hendboll. Pengesat e para ishin të pakalueshme edhe për hendbollistët e Kastriotit dhe hendbollistet e Ferizajt. Të dy skuadrat ferizajase pësuan humbje të thella, përkatësisht në Bosnjë-Hercegovinë dhe Poloni.

Në garë kanë mbetur edhe Besa Famgas dhe Rahoveci.

Istogu për herë të gjashtë garoi në Evropë. Në disa raste ka kaluar nga një kundërshtar, ndërsa tani kishte synime për më tepër. Por rrugëtimi në Evropë i istogaseve ishte fare i shkurtër.