Sport

Nuhiu: Morëm fitore të merituar

Descriptive Text

Trajneri Ardian Nuhiu ka thënë pas ndeshjes me Dukagjinin se e kishin parashikuar ndeshje të vështirë, por shtoi tutje se skuadra e Dritës mori fitore të merituar.

Drita të shtunën fitoi 1:0 në udhëtim te Dukagjini në Klinë.

“Kishim parashikuar ndeshje të fortë, të luftuar. Dua t’i përgëzoj djemtë për luftën, sakrificën. Kishim diskutuar që më e rëndësishme është të merren pikët sepse fusha nuk na lejoi të bënim lojë. Lojtarët luftuan shumë dhe me shumë meritë mendoj se e morëm fitoren. Kishim raste për ta mbyllur lojën më herët, por duhet përmendur se edhe Dukagjini na vuri në vështirësi disa herë”, tha Nuhiu pas ndeshjes.

“Gjithmonë kundërshtari kërkon të marrë barazimin, njësoj ndodhi edhe sot. Por, lojtarët reaguan mirë. Te rasti i Ergyn Ahmetit reagoi Faton Maloku. Tani e kemi ndeshjen e radhës. Orari është i ngjeshur, por kemi futbollistë të rëndësishëm. Besniku kreu punën në mënyrën më të mirë sot. E nga sot duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës”, është shprehur Nuhiu.

Dritës në ndeshjen ndaj Prishtinës nuk do t’i luajë mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi, që u përjashtua nga loja me kartonin e dytë të verdhë.