Sport

Peja fiton derbin e zjarrtë me Trepçën

Peja mbetet skuadra e vetme pa humbje në Superligën e Kosovës në basketboll. Në derbin e xhiros së pestë, Peja fitoi ndaj Trepçës me rezultatin 83:72.

Ndeshja u luajt të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Palestra ishte e mbushur me shikues, ndërsa atmosfera e zjarrtë. Edhe ndeshja ishte e nivelit të lartë dhe dramatike. Skuadrat asnjëherë nuk janë shkëputur në rezultat dhe ndeshje e fortë është luajtur nga fillimi e deri në fund. Vetëm në fund Peja krijoi epërsinë prej 11 pikëve.

Peja tani udhëheq në tabelë me 10 pikë. Ka pesë fitore. Trepça ndërkohë ka pësuar humbjen e parë. I kishte fituar tri ndeshje, ndërsa me Sigal Prishtinën në kuadër të xhiros së katërt, nuk ka luajtur ende.

Qendra Brad Waldow ishte më i miri te Peja me 19 pikë, shtatë kërcime e katër asistime. Më efikasi ishte ish-basketbollisti i Trepçës, Rodney Purvis. Ai shënoi 23 pikë, 18 prej tyre nga gjuajtjet për tri pikë. Isiah Umipig shënoi 15 pikë. Alban Veseli kontribuoi me nëntë pikë e nëntë kërcime.

Te Trepça më i miri ishte Erjon Kastrati me 20 pikë, dy kërcime e katër asistime. Mikaile Tmushiq i shënoi 15 pikë, të gjitha nga gjuajtjet për tri pikë. Clevon Brown realizoi shtatë pikë e tetë kërcime. Drilon Hajrizi realizoi 10 pikë, shtatë asistime e pesë kërcime.