Sport

Ballkani nxjerr biletat në shitje, çmimi prej dy deri në 10 euro

Ballkani ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen e së enjtes me Sivassporin. Dhe klubi suharekas, ashtu si ka premtuar, ka ulur çmimin e biletave. Për tribunën në veri dhe në jug, bileta kushton 2 euro. Për tribunën lindore, bileta është 5 euro, ndërsa për perëndim 10 euro. Biletat VIP kushtojnë 40 euro.

Ballkani e pret skuadrën turke në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Konferencës. Në klubin suharekas kanë bërë thirrje që të kenë përkrahje nga tribunat në këtë ndeshje me peshë për avancim në fazën nokaut. Ballkani aktualisht udhëheq në grup me katër pika, sa i kanë edhe tri ekipet e tjera.

Ballkani ka nxjerrë biletat në shitje “online”, ndërsa prej të shtunës ato mund të blihen edhe në zyrat e klubit në Suharekë.

Për ndeshjen me Clujin rumun, biletat kishin çmim prej 5 euro në veri e në jug, 10 euro në lindje dhe 15 euro në perëndim. Pas reagimeve, Ballkani kishte njoftuar se do të bëjë ulje të çmimit për dy ndeshjet tjera.