Sport

FHK-ja: Jemi gati për muajin e hendbollit në Kosovë

Kosova do të jetë organizatore e IHF Trophy për zonën e Evropës edhe për një edicion tjetër. Dhe nga Federata e Hendbollit e Kosovës thonë se gjithçka është gati për “muajin e hendbollit”, gjatë të cilit organizohet edhe ky aktivitet.

Federata e Hendbollit e Kosovës javën tjetër në Prishtinë do të jetë organizatore e IHF Trophy për zonën e Evropës, për grupmoshat U20 dhe U18 te hendbollistët.

Kjo ngjarje për vendet me hendboll në zhvillim është mundësi e mirë edhe për kualifikim në Botëror. Me këto dy grupmosha, në tetor të vitit 2018 Kosova kishte fituar vendin e parë.

Suksese synon edhe në këtë edicion. Triumfi mundëson kalimin në fazën interkontinentale të IHF Trophy. Dhe fituesi i fazës interkontinentale kualifikohet në Botëror, në të dy grupmoshat.

Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, ka thënë të mërkurën në konferencën për shtyp se do të marrin pjesë 10 përfaqësuese, nga pesë për secilën grupmoshë.

“Federata e Hendbollit e Kosovës ka pasur një organizim të tillë edhe disa vite më herët, ku në bazë të rezultateve ka arritur që ekipi U20 respektivisht U21 pastaj të jetë pjesë e Kampionatit Botëror i cili ishte organizuar në Spanjë. Tani Federata Ndërkombëtare e Hendbollit na ka kontaktuar dhe na ka ofruar që ta bëjmë këtë organizim, dhe ky organizim ka të bëjë me ndeshjet për Zonën Evropiane të IHF Trophy 2022 për dy kategori. Pjesëmarrëse në U18 janë Andorra, Bullgaria, Britania e Madhe, Kosova dhe Malta. Ndërkaq në U20 do të jenë Shqipëria, Bullgaria, Britania e Madhe, Gjeorgjia dhe Kosova”, ka thënë i pari i FHK-së.

Grumbullimi i përfaqësueseve të reja të Kosovës është bërë në Gjakovë, ndërsa stërvitjet kanë vazhduar në Istog.

Trajner i grupmoshës U20 është Arben Muqolli, kurse ai i grupmoshës U18, Verim Zherka, dy prej emrave më të mëdhenj të hendbollit kosovar.

Edi Kolgeci, kryetar i Këshillit Organizativ të IHF Trophy, ka bërë të ditur se gjithçka është gati për ngjarjen që shtyn përpara sportin e hendbollit.

“Përgatitjet kanë filluar qysh më herët dhe jemi munduar që së bashku me të gjithë, me presidentin, sekretarin dhe stafin e Federatës, që organizimi të jetë sa më në nivel dhe besojmë që do të jetë një organizim mjaft i mirë dhe mjaft i bukur. Nuk është hera e parë që Federata e Hendbollit organizon ngjarje në këtë nivel. Presidenti e përmendi që faktikisht do të jenë 10 reprezentacione në total. Kemi përfunduar të gjitha përgatitjet sa i përket pritjes së sportistëve dhe personave zyrtarë. Do të kemi edhe pritjen e disa delegacioneve”, ka thënë Kolgeci.

Saraçini e Kolgeci kanë kërkuar mbështetje sa më të madhe për hendbollistët e rinj. Ata kanë bërë thirrje që palestrat të jenë të mbushura në ditët kur luan Kosova. Dyert për shikues do të jenë të hapura edhe për takimet e tjera.

Ndeshjet e IHF Trophy do të zhvillohen në dy palestra sportive, atë të Pallatit të Rinisë dhe në “1 Tetori”.

Gjatë këtij muaji luan edhe Përfaqësuesja A e Kosovës për hendbollistë e po ashtu grumbullohet edhe Përfaqësuesja e hendbollisteve. Edhe klubet kanë ndeshje në kuadër të kupave evropiane.