Sport

Trepça ’89 njofton për anulimin e ndeshjes me Prishtinën

Federata e Futbollit e Kosovës në paralajmërimin e ndeshjeve të fundjavës, e pati në program edhe ndeshjen ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës ’89 dhe shkruhej se dueli do të nisë nga ora 13:00, e do të luhej në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Skuadra e Prishtinës lajmëroi më herët gjatë ditës së shtunë se takimi me Trepçën ’89 do të luhet të dielën nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” po ashtu.

Por, në njoftimin e fundit, Trepça ’89 shkruan ndryshe.

“Klubi Futbollistik Trepça ’89 njofton publikun futbolldashës se pas njoftimit nga Federata e Futbollit e Kosovës për anulimin e ndeshjes së xhiros së 9-të FC Prishtina – KF Trepça ’89, e cila ishte paraparë të zhvillohej nesër, ditë e diel, me fillim nga ora 13:00, është anuluar dhe shtyrë për një afat të papërcaktuar”, thuhet të shtunën në njoftimin e skuadrës mitrovicase.

FFK-ja i pati dërguar skuadrës së Prishtinës një letër ku klubit kryeqytetas i kërkohej të mos luante në “Fadil Vokrri” në muajin tetor.

Kundërpërgjigja e Prishtinës të premten ka qenë me këmbëngulje se të gjitha ndeshjet, skuadra “bardhekaltër” do t’i zhvillojë në kryeqytet.