Sport

Drita synon ta vazhdojë serinë pozitive edhe ndaj Drenicës

Skuadra e Dritës po synon ta mbajë pozitën e parë në tabelë, por edhe të mbetet e pamposhtur. Drita e pret skuadrën nga Skenderaj, Drenicën, të shtunën, prej orës 13:00, në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.

Drita prin në tabelë me 18 pikë të mbledhura dhe është skuadra e vetme këtë edicion që ende nuk di për humbje. Ka pesë fitore e tri barazime. Te Drita vlerësojnë lart Drenicën dhe trajneri Ardian Nuhiu ka kërkuar nga futbollistët e tij që të japin maksimumin në këtë ndeshje. Nuhiu e ka vlerësuar ndeshjen me Drenicën si tejet të vështirë. Ai shtoi se Drita duhet të kthehet te fitorja në këtë përballje pas barazimit që e pati në mesjavë ndaj Prishtinës.

“Kemi ndeshje me një skuadër që po kalon formë të mirë, e cila taktikisht luan mirë dhe ka futbollistë cilësorë. Ne kemi analizuar kundërshtarin, kemi përgatitur ekipin këto dy ditë sa kemi pasur kohë për t’u përgatitur për ndeshjen. Duhet me përqendrim dhe vlerësim maksimal t’i qasemi ndeshjes dhe të kthehemi te fitoret”, është shprehur Nuhiu. “Gjithmonë kërkojmë maksimumin, por nuk jemi vetëm në garë dhe kemi edhe kundërshtarë, të cilët kanë qëllimet e tyre. Do të kërkoj gjithmonë nga skuadra të përmirësohemi, të marrim edhe më tepër, sepse e kemi mundësinë dhe futbollistët tanë kanë cilësi”.

Edhe sulmuesi i krahut i Dritës, Kastriot Selmani, pret ndeshje të vështirë kundër Drenicës. Selmani ka thënë se të gjithë futbollistët do të japin maksimumin për të vazhduar formën e mirë që e kanë treguar deri më tani.

“Kemi punuar shumë gjatë stërvitjeve dhe kemi zhvilluar vendosje taktike në këto përgatitje. Mendoj që ato që i kemi stërvitur do t’i zbatojmë nesër në ndeshje. Jemi gati dhe do ta japim maksimumin si në çdo ndeshje tjetër kampionale”, ka thënë Selmani.

Edhe te Drenica ka optimizëm para përballjes me Dritën. Drenica në xhirot e fundit ka treguar formë të mirë, ndërsa e ka shfrytëzuar pushimin e ndeshjeve ndërkombëtare për t’u përgatitur sa më mirë. Në dy xhirot e fundit Drenica ka po aq fitore dhe renditet e pesta në tabelë me 11 pikë të grumbulluara. Futbollisti i Drenicës, Arbios Thaqi, ka paralajmëruar se ekipi nga Skenderaj udhëton për rezultat pozitiv në qytetin e Gjilanit.

“Kemi stërvitur me skuadrën dhe jemi përgatitur për këtë ndeshje. E kemi studiuar kundërshtarin dhe udhëtojmë për të dhënë më të mirën nga vetja. E kuptojmë formën e mirë të Dritës, por kjo gjë nuk na demoralizon për të marrë një rezultat sa më pozitiv që është e mundur”, tha Thaqi.

Të shtunën zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera të cilat startojnë po ashtu në orën 13:00. Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini e pret Ferizajn. Dukagjini është ekipi i vetëm që ende nuk di për fitore. Zë vendin e fundit në tabelë me 2 pikë, pesë më pak se Ferizaj që renditet i parafundit.

Ndërkohë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë Llapi përballet me skuadrën e Malishevës.

Kjo xhiro mbyllet të dielën më dy ndeshje: Ballkani – Gjilani dhe Prishtina – Trepça ’89.