Sport

Kasami firmos me kampionin grek

Mesfushori shqiptar, Pajtim Kasami, është kthyer te kampioni i Greqisë, Olympiacosi. Gjiganti grek i futbollit të premten ka njoftuar për angazhimin e 30-vjeçarit. Kasami ishte futbollist i lirë, ndërsa ka luajtur për Baselin deri në fund të edicionit të kaluar. Ai ka 12 paraqitje për Zvicrën, por së fundi ka luajtur në vitin 2016. Atëbotë ishte pikërisht tek Olympiacosi.

“Olympiacosi njofton angazhimin e Pajtim Kasamit. Mesfushori zviceran kthehet te “kuqebardhët” me të cilët ka fituar dy tituj të kampionit dhe një kupë gjatë qëndrimit dyvjeçar. Ai në periudhën 2014 – 2016 ka bërë 66 paraqitje dhe ka shënuar nëntë gola”, ka njoftuar Olympiacosi, klubi më i madh në Greqi.

Kasami prej vitit 2020 ishte te Baseli. Më herët ka luajtur edhe për Sionin, Nottingham Forestin, Luzernin, Fulhamin, Palermon e Bellinzonan. Si i ri ishte zhvilluar te Winterthuri, Grasshopperi, Liverpooli e Lazio. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës.

Olympiacosi ka 47 tituj të Greqisë, që është rekord. I ka po ashtu 28 Kupa të Greqisë, rekord tjetër.

“Nuk ka fjalë që përshkruajnë ndjenjat e mia aktualisht. Jam shumë i lumtur që firmosa sërish për këtë klub legjendar. Faleminderit për besimin president!”, ka shkruar Kasami në Facebook.