Sport

Vllaznia e Shkodrës në fazën grupore të “Championsit”

Vllaznia e Shkodrës ka shënuar sukses historik në futbollin e femrave në Shqipëri.

Skuadra shkodrane është kualifikuar në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

Vllaznia të mërkurën gjatë ditës mposhti skuadrën ukrainase Vroskla Potlava me rezultatin 2:1, në ndeshjen kthyese të fazës së plejofit për kualifikim në “Champions”.

Ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” javën e kaluar kishte përfunduar 1:1.

Të dyja ndeshjet u zhvilluan në Shkodër për shkak të luftës në Ukrainë.

Tarah Lynn Petterson në minutën e 35-i dha avantazhin skuadrës vendëse.

Në minutën e 84-rt, Olga Osipyan e Vorsklas dështoi përballë portieres Kaylin Conner Williams-Mosier.

Nga goditja e këndit, një minutë më pas, skuadra ukrainase shënoi golin e barazimit. Realizatore ishte Katerina Korsun.

Por vetëm tre minuta më vonë, Gresa Berisha pasi fitoi një top afër zonës, gjuajti fuqishëm dhe shënoi golin historik për Vllazninë e Shkodrës.

Shkodranet do t’i mësojnë kundërshtarët në fazën e grupeve më tre tetor në shortin që do të tërhiqet në Nyon të Zvicrës.

Faza e grupeve në Ligën e Kampionëve nis më 19 tetor.