Sport

Peja e Bashkimi rikthehen në Ligën Ballkanike

Skuadrat e Superligës së Kosovës në basketboll, Peja dhe Bashkimi do të paraqiten në Ligën Ballkanike (BIBL) për sezonin 2022/23.

Të dy ekipet, janë konfirmuar të mërkurën në faqen zyrtare të BIBL-it. Peja rikthehet në këtë garë pas dy sezoneve, ndërsa për herën e fundit u paraqit në edicionin 2019/20, i cili u ndërpre për shkak të koronovirusit.

Për Pejën, ky do të jetë edicioni i pestë që do të luajë në BIBL, ndërsa pati debutuar në vitin 2013.

Për dallim prej Pejës, skuadra e Bashkimit kthehet në Ligën Ballkanike pas një mungese për tri edicionesh. Herën e fundit, u paraqit në vitin 2019 ku përfundoi i gjashti. Suksesin më të madh në BIBL, Bashkimi e ka në vitin 2018 kur doli nënkampion i kësaj gare.