Sport

Hysaj: Na kushtuan gabimet individuale

Descriptive Text

Elseid Hysaj ka vlerësuar se Shqipërisë i kushtuan gabimet individuale ndaj Izraelit. Hysaj vetë bëri një gabim që përfundoi me gol.

Shqipëria është mposhtur në Izrael dhe do të garojë në Ligën B të Ligës së Kombeve edhe në edicionin e ardhshëm. Kuqezinjve u është dashur fitorja ndaj Izraelit për të shpresuar në promovim në Ligën A. Por Shqipëria pësoi 2:1 nga Izraeli, të shtunën mbrëma në Tel Aviv dhe mbetet pa gjasa.

“Ndeshja u vendos nga gabimet individuale, si unë dhe të tjerët. Gjithnjë po ndodhë që po pësojmë nga gabimet individuale. Po na penalizojnë më shumë se loja që bëmë”, ka theksuar mbrojtësi i krahut.

“Treguam se dimë të luajmë dhe kishim raste për ta fituar ndeshjen. Një lojtar si unë duhet të japë më shumë. Ishte një nga ndeshjet më negative të mia. Duhet të bëj një analizë për paraqitjen individuale”, është treguar kritik Hysaj.