Sport

Atalanta me seri më të mirë se Reali dhe PSG-ja

Atalanta, Paris Saint-Germaini dhe Real Madridi i kanë fituar të gjitha ndeshjet si mysafirë këtë sezon, por skuadra italiane nuk ka pësuar asnjë gol.

Atalanta e drejtuar nga Gian Piero Gasperini, prin në tabelë me Napolin dhe janë dy skuadrat e pamposhtura në Serie A këtë sezon.

Atalanta siguroi fitore 1:0 kundër Romës në “Stadio Olimpico” të dielën, duke e konfirmuar nisjen e përkryer si mysafir, me katër fitore në po aq ndeshje.

Këtë bilanc e ka edhe Real Madridi i Carlo Ancelottit, ndërsa PSG-ja ka fituar pesë ndeshje nga po aq të luajtura jashtë Parisit.

Por, Atalanta është e vetmja skuadër në top pesë ligat evropiane që ende nuk ka pranuar gol si mysafir, ka shkruar të enjten “Tuttosport”.

Atalanta ka mposhtur si mysafir Sampdorian dhe Monzan 2:0, ndërsa Veronën e mundi me rezultatin 1:0. Të gjitha këto suksese janë rezultat i punës së Gasperinit, i cili drejtimin e skuadrës e mori në vitin 2016. 64-vjeçari ka fituar 64 ndeshje si mysafir në Serie A nga 118 gjithsej.