Sport

Maratona e parë e Prishtinës mund të mbahet pa garues nga Kenia

Federata Atletike e Kosovës (FAK) ka premtuar edhe një herë se do të bëjë përpjekje maksimale që organizimi i maratonës “Prishtina 2022” të jetë dukshëm më e mirë se Gjysmëmaratona e Prishtinës. Edicioni i 19-të i Gjysmëmaratonës së Prishtinës, i mbajtur për herë të fundit në vitin 2019, nuk ka dalluar nga edicionet paraprake, ndonëse edhe atëbotë kishte synime për organizim më të madh. Ishte e njëjtë për nga organizimi, ndërsa edhe fituesit ishin të zakonshëm. Gjysmëmaratona e Prishtinës është dominuar nga atletët e Kenisë, sa herë që janë paraqitur për të marrë pjesë.

Pjesëmarrjen në Maratonën e Prishtinës keniasit ende nuk e kanë paraqitur. Nuk dihet nëse do të marrin pjesë në Maratonën e Prishtinës që organizohet për herë të parë sivjet. Ishte planifikuar të organizohej vitin e kaluar, por për shkak të situatës me pandemi nuk u mbajt. Deri në pasditen e të mërkurës janë paraqitur 400 atletë për pjesëmarrje. Nga FAK-u është bërë e ditur se ka edhe atletë të huaj që kanë paraqitur pjesëmarrjen, por jo edhe keniasit. Maratona e Prishtinës do të mbahet të dielën prej orës 09:00.

“Aktualisht janë bërë 400 aplikime për pjesëmarrje. Ka një numër të madh të vrapuesve vendorë, ndërsa ka edhe të huaj. Por, momentalisht nuk kemi të paraqitur për pjesëmarrje asnjë garues nga Kenia. Ndoshta mund të paraqiten të enjten apo edhe të premten. Nuk kemi ndonjë informatë për pjesëmarrjen e tyre”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Atletikës së Kosovës, Abdurrahman Shkodra, për KOHËN të mërkurën. “Rreth 100 vrapues janë të huaj, por sigurisht se do të ketë edhe më shumë. 255 aplikime i kemi vetëm online, ndërsa në total kanë paraqitur pjesëmarrjen 400. Numri do të rritet ndërkohë. Do të ketë edhe atletë të Kosovës”. Rreth 1200 persona ishte thënë në vitin 2019 të jetë numri i pjesëmarrësve në Gjysmëmaratonën “Prishtina 2019”. Shtegu i Maratonës është 42 kilometra, ndërsa është edhe shtegu për 21 kilometra, 10 kilometra dhe pesë kilometra. Për 5 dhe 10 kilometra pjesëmarrja është 10 euro, 21 kilometra 15 euro, ndërsa 42 kilometra 20 euro. Starti i të gjitha distancave do të jetë para Teatrit Kombëtar në Prishtinë dhe nis nga orën 09:00. Pjesëmarrjen në vrapimin e Prishtinës e ka konfirmuar edhe atletja Gresa Bakraqi. Ajo ka thënë se nuk do të marrë pjesë në shtegun 42 kilometra.

“Nuk do ta përfundoj vrapimin në 42 kilometra, pasi e kam Gjysmëmaratonën e Shkupit menjëherë pas pesë ditësh. Për Maratonë ka kohë. Njëherë synoj të mbaj titullin në Gjysmëmaratonë”, ka thënë Bakraqi për KOHËN.

Edhe Albion Ymeri thotë se nuk është i gatshëm të marrë pjesë në Maratonë.

“Jam momentalisht në Sarajevë dhe nëse arrij me kohë do të paraqitem për pjesëmarrje. Por, nuk do të paraqitem në 42 kilometra”, ka thënë Ymeri për KOHËN.