Sport

Shkëlqimi i vëllezërve Hernangomez në Eurobasket

Willy Hernangomez e ka përshkruar ndjenjën e triumfit në Eurobasket së bashku me vëllanë e tij, “më shumë se një ëndërr” të realizuar. 28-vjeçari u shpall lojtari më i vlefshëm (MVP) i Kampionatit Evropian të basketbollit, pas fitores së Spanjës 88:76, kundër Francës, në finalen e së dielës mbrëma në Berlin. Hernangomez çmimin e pranoi nga ambasadori i Eurobasketit, Dirk Nowitzki.

“Unë dhe vëllai im vijmë nga një familje e thjeshtë në periferi të Madridit, Las Rozas. Gjithmonë kemi menduar se do të duhet të luftojmë dhe të punojmë shumë për gjithçka. Nuk kemi menduar kurrë se do të arrijmë të luajmë në ligën spanjolle, nuk kam menduar kurrë se do të luaj kaq shumë vjet në NBA”, ka thënë Willy Hernangomez. “Pra, ne thjesht vazhduam të punojmë dhe të rrëmbejmë shanset tona. Vazhduam të luajmë së bashku për Përfaqësuesen dhe të fitojmë Eurobasketin është më shumë se një ëndërr. Jam jashtëzakonisht krenar për të gjithë bashkëlojtarët e mi, për stafin e trajnerëve dhe për të gjithë Federatën spanjolle nga drejtuesit e deri te punëtorët. Ne e kemi merituar këtë medalje të artë”.

Kampionati që përfundoi në Berlin, shënoi paraqitjen e tretë rresht në Eurobasket për Hernangomezin. Shpallja e tij si lojtari më i vlefshëm (MVP) ishte simbol i rritjes së rëndësishme te Spanja, duke u bërë një lider që i duhej skuadrës. Hernangomez ishte një shembull i qëndrueshmërisë gjatë gjithë kampanjës së Eurobasketit për Spanjën dhe pati një shpërthim prej 27 pikëve në rikthimin në çerekfinale kundër Finlandës, ndeshje që e fituan spanjollët, edhe pse ishin 15 pikë në disavantazh.

“Mënyra se si jemi rritur gjatë gjithë këtij turneu ishte e mahnitshme. Dhe besimi që ishte brenda dhomës së zhveshjes ishte diçka e veçantë. Unë jam me fat që isha pranë këtyre djemve, sepse ata më besuan që nga fillimi”, shtoi Willy.

Në finale ishte vëllai i tij më i vogël, Juancho, i cili pati paraqitje fantastike me 27 pikë të shënuara, prej të cilave 21 i realizoi nga gjuajtjet për tri pikë. Ai u zgjodh lojtari më i mirë i finales, ndërsa me të përfunduar ndeshja vëllezërit u bashkuan me pjesën tjetër të familjes për ta festuar suksesin e madh.

“Jam jashtëzakonisht krenar për mënyrën se si vëllai im u rrit në këtë turne. Ne i besuam atij që në fillim. E dija që ai do ta shfaqte lojën e tij. Ne kishim nevojë për të në finale dhe ai ishte gati për ne. Pra, ishte Juancho që shkëlqeu në finale”, u shpreh Willy.

Willy Hernangomez bëhet lojtari i shtatë spanjoll që fiton çmimin MVP të Eurobasket pas Pau Gasolit (2009 dhe 2015), Juan Carlos Navarros (2011), Juan Antonio Corbalanit (1983), Wayne Brabenderit (1973), Emiliano Rodriguezit (1963) dhe Rafael Martinit (1935).

Willy, 28-vjeçar, luan afër koshit dhe është i gjatë 211 centimetra. Pas karrierës te Real Madridi dhe Sevilla, ai vazhdoi në NBA në vitin 2016. Luajti për New York Knicks, Charlotte Hornets dhe prej vitit 2020 është te New Orleans Pelicans. Juancho Hernangomez është 26-vjeçar dhe i gjatë 206 centimetra. Luan në krah kryesisht. Edhe ai prej vitit 2016 është në NBA. Ka luajtur për Denver Nuggets, Minnesota Timberwolves, Boston Celtics, San Antonio Spurs, Utah Jazz dhe tani është te Toronto Raptors.

Spanja për herë të katërt ka fituar titullin e kampiones në Eurobasket. Nuk ishte vlerësuar favorite, por loja ekipore ia solli suksesin e madh. /FIBA.com