Sport

Sejdiu, “ekspert” i derbit suedez

Patriot Sejdiu ishte në mesin e fushës kur nisi aksioni i golit që ai e shënoi të dielën. Pas disa sekondave vrapim, Sejdiu mbërriti në zonë dhe në mënyrë të bukur plasoi topin në një kënd të papërshtatshëm për portierin kundërshtar.

Nuk bëhej fjalë për ndonjë gol të zakonshëm. Festa ishte shumë e madhe, si në fushë nga lojtarët ashtu edhe në tribuna. Golin të cilin Sejdiu e shënoi të dielën ka vlerë të veçantë. Ai ndihmoi Malmon që ta fitonte derbin më të madh në Suedi, atë kundër Helsingborgut, që njihet si “Skanederby”. Malmo e fitoi 2:1 ndeshjen në udhëtim, që i takoi xhiros së 23-të.

“Mora një top të mirë dhe isha në pozitë të mirë për të gjuajtur me të parën. E qëllova topin mirë dhe fatmirësisht përfundoi në rrjetë. E ndjej veten shumë mirë sepse kundër Helsinborgut është lojë e veçantë. Ndjenjë edhe më e mirë ka qenë kur kemi luajtur në ndeshjen e parë, në shtëpi”, ka thënë për KOHËN të dielën futbollisti i krahut.

Sejdiu në fund të qershorit në ndeshjen e parë ndaj Helsinborgut ishte inkuadruar në lojë në minutën e 89-të kur rezultati ishte 1:1. Dhe menjëherë pas dy minutash shënoi për 2:1, në fitoren e madhe të Malmos. Festë të madhe pati në tribuna. Për Sejdiun ishte goli i parë në pesë paraqitje në “Allsvenskan”.

“Ky ka qenë gol shumë i mirë, por ai të cilin e kam realizuar në stadiumin tonë ka qenë magjik. Ka qenë shumë i veçantë. Ai gol u shënua në minutat e fundit të ndeshjes dhe mund të them se ka qenë goli më i mirë në karrierën time”, është shprehur Sejdiu.

Sejdiu në edicionin aktual nuk ka pasur shumë hapësira te Malmo. Goli i të dielës është një sinjal për trajnerin norvegjez Age Hareide.

22-vjeçari thotë se do të punojë sa më shumë që është e mundur në mënyrë që të jetë i gatshëm gjithmonë për ekipin e madh suedez. Pas ndeshjes, Sejdiu tha se ka folur pak me trajnerin.

“Nuk kam luajtur shumë në këtë sezon por prapë se prapë kur më ka ardhur rasti kam luajtur mirë. Besoj se trajneri e sheh dhe e di se jam lojtar që mund të bëj më shumë në fushën e lojës dhe do të më jap më shumë hapësira. Unë kam folur me të pas ndeshjes dhe më ka thënë që ka qenë lojë shumë e mirë dhe më ka thënë të vazhdoj kështu”.

Në “Allsvenskan”, Sejdiu ka zhvilluar 13 ndeshje dhe ka realizuar katër gola.

Sejdiu e ka një ndeshje të zhvilluar edhe me Kosovën U21. Në muajin mars luajti kundër Sllovenisë U21 në kualifikime të Evropianit.