Sport

Prishtina e vendosur ta mposhtë Yllin në Suharekë

Ndonëse të martën mbeti pa trajnerin Ekrem Memnun, Sigal Prishtina udhëton për fitore te kampioni aktual, Golden Eagle Ylli. Prishtina edicionin në Superligën e Kosovës në basketboll e nisi me humbje, por synon më tepër në xhiron e dytë. Pas humbjes nga Peja të dielën, erdhi largimi i papritur i Memnunit. Por te skuadra e kaltër megjithatë janë optimistë para udhëtimit në Suharekë.

Edhe Ylli është mposhtur në xhiron e parë dhe synon fitoren ndaj Prishtinës. Yllin e mposhti Rahoveci, të shtunën.

Ndeshja mes Yllit dhe Prishtinës zhvillohet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Në këtë ndeshje Prishtina do të udhëhiqet nga ndihmësi i Memnunit, turku Murat Bilge. Basketbollisti i Prishtinës, Lejson Zeqiri ka thënë të premten për KOHËN se në Suharekë do të udhëtojnë për fitore. Ai ka pranuar se nuk do të jetë mision i lehtë, por ka shtuar se të gjithë te Prishtina janë të motivuar për këtë duel ndaj kampionit në fuqi.

“Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe interesante, një derbi i vërtetë. Ne presim të japim maksimumin dhe të luajmë lojën që e kemi përgatitur gjatë tërë javës në stërvitje duke zbatuar me përpikëri detyrat që na jepen”, është shprehur Zeqiri. “Sigurisht, synimi është ta fitojmë këtë derbi për shkak se luajmë kundër kampionit në fuqi dhe të gjithë jemi maksimalisht të motivuar. Po ashtu duam të realizojmë edhe fitoren e parë këtë edicion. Është shumë e rëndësishme për ne të reagojmë pas humbjes në xhiron e parë që e pësuam në shtëpi”.

Përderisa Prishtinës i është larguar trajneri, te Ylli në fillim të kësaj jave është kthyer në krye të ekipit Adis Beqiragiq, trajneri që e udhëhoqi drejt dy titujve të kampionit në dy edicionet e fundit. Ylli gjatë tërë javës është përgatitur me Beqiragiqin, i cili nuk pati mundësi të punonte me ekipin në fazën përgatitore për shkak të angazhimeve me Përfaqësuesen e Bosnjë-Hercegovinës, ku mori rolin e përzgjedhësit. Ai u paraqit me Bosnjën ne Eurobasket, por u eliminua në fazën e grupeve në të cilën regjistroi dy fitore karshi tri humbjeve.

“Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë në mënyrë që të paraqitemi mirë, duke pasur parasysh se synimi kryesor është mbrojtja e titullit. Besoj që do ta kemi përkrahjen e tifozëve në këtë ndeshje që është shumë e rëndësishme për ne dhe pres që palestra të jetë e stërmbushur për këtë ndeshje interesante”, ka thënë Beqiragiq.

Të shtunën luhet edhe ndeshja ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, prej orës 19:00.

Ndërkohë të dielën do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera të xhiros së dytë. Trepça pas fitores së thellë në xhiron e parë, edhe ndeshjen e dytë e luan në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ku përballet me Bashkimin. Ky duel nis në orën 17:00, ndërsa prej orës 19:00 do të takohen Vëllaznimi me Rahovecin në Gjakovë.

Superliga – II

E shtunë

G.E. Ylli – S. Prishtina (17:00)

P. Prizreni – Peja (19:00)

E diel

Trepça – Bashkimi (17:00)

Vëllaznimi – Rahoveci (19:00)