Sport

Llapi e Gjilani kërkojnë të reagojnë në derbin e xhiros

Te Llapi po synojnë t’i japin fund serisë prej tri humbjeve rresht në Superligën e Kosovës në futboll. Këtë seri negative, Llapi po kërkon ta ndalë në xhiron e tetë dhe atë në një udhëtim të vështirë, te skuadra e Gjilanit.

Dueli mes Gjilanit dhe Llapit vlerësohet derbi i kësaj xhiroje, që nis të shtunën dhe përfundon të hënën. Kjo ndeshje luhet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, të shtunën prej orës 15:00. Në tri ndeshjet e fundit Llapi ka pësuar humbje, kurse nuk di për fitore prej xhiros së parë. Ka edhe dy barazime dhe me pesë pikë të tubuara zë vendin e parafundit në tabelë.

Trajneri Tahir Batatina pret që ekipi i tij t’i kthehet fitores ndaj Gjilanit, ekip që xhiron e shkuar pësoi humbje të thellë, 4:1, në derbi ndaj Dritës.

“Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi Gjilani ka një ekip shumë të mirë. Por, ne shkojmë atje ta japim më të mirën nga vetja për t’u kthyer te fitorja. Nuk do të jetë lehtë, por besoj se me angazhim maksimal mund t’ia dalim”, ka thënë Batatina për KOHËN, të premten. “Ekipi është i motivuar pasi ndeshjet e fundit i kemi lënë pas vetes dhe nuk besoj se do të kenë ndonjë ndikim negativ. Unë pres që të rikthehemi shpejt dhe aspak nuk kam dyshim në cilësitë e ekipit tim. Ndaj Gjilanit pres të jetë një lojë korrekte”.

Edhe te Gjilani synim e kanë të kthehen te fitorja, pas humbjes në derbi të mërkurën. Për Gjilanin ishte disfata e parë këtë edicion dhe e zhvendosi në pozitën e dytë në tabelë me 14 pikë, sa i ka edhe Drita që është në krye.

Sulmuesi i krahut, Baton Zabërgja, ka thënë se Gjilani patjetër duhet të reagojë ndaj Llapit dhe t’i gëzojë tifozët me tri pikë.

“Ndeshje, e cila e ka rëndësinë e veçantë, pasi që përballen dy skuadra tejet cilësore. Ne do të tentojmë të rikthehemi dhe te reagojmë pas disfatës në derbi. Do të luftojmë për çdo top dhe do të angazhohemi në maksimum për ta fituar ndeshjen edhe për tifozët tanë”, është shprehur Zabërgja.

Të shtunën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër. Skuadra e Malishevës në stadiumin “Liman Gegaj” e pret Dritën, ekipin e vetëm që ende nuk di për humbje. Malisheva në këtë ndeshje do të jetë pa trajnerin Arsim Thaqi, të cilin e shkarkoi të enjten për shkak të rezultateve të dobëta. Përderisa Drita do të jetë e motivuar në këtë takim pas fitores ndaj Gjilanit, Malisheva do të përpiqet të kthehet te fitorja pas disfatës 4:2 që e pësoi nga Prishtina. Malisheva nuk di për fitore në dy ndeshjet e fundit dhe renditet e pesta në tabelë me shtatë pikë.

Të dielën zhvillohen dy ndeshje të tjera. Në Mitrovicë, Trepça ’89 e pret Dukagjinin e fundit në tabelë, ndërsa në Skenderaj përballen Drenica me Prishtinën. Xhiroja do të mbyllet me duelin mes Ferizajt e Ballkanit, i cili luhet të hënën prej orës 15:00.

Superliga – VIII

E shtunë (15:00)

Gjilani – Llapi

Malisheva – Drita

E diel (15:00)

Trepça ’89 – Dukagjini

Drenica – Prishtina

E hënë (15:00)

Ferizaj – Ballkani

1. Drita 6 4 2 0 14:4 14

2. Gjilani 7 4 2 1 10:8 14

3. Prishtina 6 3 2 1 9:6 11

4. Ballkani 4 3 0 1 3:2 9

5. Drenica 7 2 2 3 6:9 8

6. Malisheva 6 2 1 3 10:11 7

7. Ferizaj 7 1 4 2 7:9 7

8. Trepça ’89 6 1 3 2 13:13 6

9. Llapi 6 1 2 3 6:11 5

10. Dukagjini 7 0 2 5 4:9 2