Sport

Laura Fazliu pëson edhe në luftën për të bronztën në “Gyor”

Descriptive Text

Kanë ardhur fitoret e para për Kosovën, por jo edhe medaljet.

Xhudistja, Laura Fazliu, shënoi dy fitore në kategorinë deri në 63 kilogram, por më pas pësoi dy humbje, që ia pamundësuan fitimin e medaljes së bronztë në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, transmeton Koha.net.

Ajo u mund në duelin për vendin e tretë nga sllovenia, Zarja Tavcar, në sekondat e fundit të luftës, bën të ditur KOK-u përmes një komunikate për media.

Fazliu rrethin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin mposhti italianen, Elisa Toniolo. Më pas, në çerekfinale triumfoi ndaj garueses nga Luksemburgu, Anetta Mosr. Në gjysmëfinale u takua me gjeorgjianen, Mariam Tchanturia, nga e cila humbi me ippon pas shënimit të artë, luftë kjo që zgjati gati 10 minuta.

Pavarësisht se nuk fitoi medalje, Laura arriti rezultatin më të mirë deri më tani, nga i gjithë ekipi olimpik në “Gyor 2017”.

Të premten garon edhe Shpat Zekaj në kategorinë deri në 90 kilogram, i cili mbetet shpresa e vetme për momentin për të fituar medalje.