Sport

Fanella e Shaqirit ndër më të shiturat në SHBA

Descriptive Text

Xherdan Shaqiri është njëri prej futbollistëve më të popullarizuar në SHBA, fakt ky që dëshmohet nga numri i fanellave të shitura, ka njoftuar të martën “Blick”.

Shaqiri në fillim të këtij viti u transferua te Chicago Fire dhe tashmë është shndërruar në superyll të ekipit të tij.

Qysh në edicionin e tij të parë në MLS, Shaqiri ka arritur të jetë në mesin e dhjetë lojtarëve me numrin më të madh të fanellave të shitura deri më tash.

Dyqani online “mlsstore.com” që operohet nga liga MLS, ka publikuar listën e futbollistëve me fanellat më të shitura këtë edicion.

Shaqiri është i teti në këtë listë dhe i vetmi lojtar i Chicagos që gjendet në mesin e 25 futbollistëve për numrin më të madh të fanellave të shitura.

Në krye të listës për më së shumti fanella të shitura, është Gareth Bale i skuadrës Los Angeles Galaxy.

Pas tij, vijnë Christian Fuchs (Charlotte FC), Carlos Vela (Los Angeles FC), Javier Hernandez (LA Galaxy), Josef Martinez (Atlanta United), Raul Ruidiaz (Seattle Saunders), Karol Swiderski (Charlotte FC), Xherdan Shaqiri (Chicago Fire), Jordan Morris (Seattle Saunders) dhe Walker Zimmerman (Nashville FC), që plotësojnë në top-dhjetëshen.

Shaqiri këtë edicion ka shënuar pesë gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 26 ndeshje kampionale për Chicagon, me të cilin ekip ka kontratë deri në fund të vitit 2024.