Sport

“Marca”: Ndikimi i Muriqit te Mallorca është shumë i madh

Descriptive Text

Gazeta e madhe spanjolle “Marca” e ka vlerësuar shumë lart Vedat Muriqin për paraqitjen ndaj Real Madridit. Muriqi të dielën kaloi në epërsi Mallorcan në “Santiago Bernabeu”, por më pas Real Madridi u përgjigj me katër gola. Muriqi shënoi golin e tretë të edicionit, në pesë ndeshje të zhvilluara deri më tani. Të gjithë golat i ka shënuar me goditje me kokë.

Sulmuesi kosovar ka dëshmuar momentin e mirë që po e kalon edhe ndaj Realit, që është skuadra e vetme në pesë ligat e forta evropiane që ka vetëm fitore në këtë pjesë të edicionit.

“Mallorca, ndonëse ka humbur në Bernabeu, mund të marrë gjëra shumë pozitive nga ndeshja. Madridi ka pasur vështirësi për ta thyer ekipin e Mallorcas, që po konfirmohet se ka mbrojtje solide. Një gjë tjetër për të pasur në mendje është Vedat Muriqi. Sulmuesi i fuqishëm ka shënuar golin e tretë të edicionit. Rëndësia e Muriqit për Mallorcan është superlative. Në aspektin defensiv e sidomos në aspektin ofensiv. Kosovari është i jashtëzakonshëm fizikisht dhe kjo i jep skuadrës së Mallorcas një plus më se të dukshëm në lojërat strategjike dhe në momente specifike të lojës. Pjesa ofensive ndërkohë është edhe më lehtë e vërejtur. Muriqi tashmë ka shënuar tre gola në këtë kampionat. Dhe e veçantë është që të tre golat i ka shënuar me kokë. Dhe kjo e bën atë një prej sulmuesve më të mirë në lojën në ajër”, ka shkruar “Marca”.

Gazeta e madhe spanjolle ka njoftuar se Muriqi nuk e ka përfunduar ndeshjen për shkak të një lëndimi. Ai zakonisht luan deri në fund te Mallorca, ndërsa ndaj Real Madridit u zëvendësua në minutën e 79-të.

“Mbetet të shihet nëse fizikisht do të jetë mirë. Muriqi nuk ka mundur ta përfundojë ndeshjen ndaj Madridit dhe kur është ulur në bakë është parë se ka shqetësime në kofshë. Kosovari është një nga lojtarët me më së shumti minuta në fushë. Kështu që rëndësia e tij në planet e Mallorcas është më se e qartë”, ka komentuar tutje “Marca”.