Sport

E veçantë, Brazili e fton lojtaren e skuadrës kosovare

Descriptive Text

Istogu mburret që në përbërje ka lojtare të përfaqësueses së Kosovës dhe lojtare të disa përfaqësueseve të tjera. Tani skuadra që drejtohet nga Faruk Shala mund të mburret edhe për faktin që në përbërje e ka një hendbolliste të Brazilit.

Është Tainara Luna Gonçalves, që është ftuar nga përfaqësuesja e Brazilit. Luna Gonçalves ka luajtur në pranverë për KHF Istogun dhe do të vazhdojë të luajë edhe në edicionin e ardhshëm. Tashmë ajo ka nisur stërvitjet me Istogun për edicionin e ri garues.

“Prej 30 shtatorit e deri më 13 tetor të këtij viti, ekipin ynë i hendbollisteve do të marrë pjesë në Lojërat e Amerikës së Jugut në Paraguai. Kjo garë shërben për kualifikimin e dy ekipeve në Lojërat Pan-Amerikane që mbahen në Santiago de Chile në vitin 2023 e që është garë kualifikuese për Lojërat Olimpike të Parisit. Kërkojmë që të na ndihmoni duke e liruar lojtaren për të garuar në këtë ngjarje, ndonëse nuk është në data të IHF-së. Por është shumë e rëndësishme për synimin tonë që të marrim pjesë sërish në Lojëra Olimpike”, shkruan në letrën që Istogut, që ia ka dërguar presidenti i Federatës së Hendbollit të Brazilit, Felipe Rego Barros.

Luna Gonçalves është shprehur e lumtur për ftesën. Ftesa e ka befasuar. Në fakt, Gonçalves ishte larguar nga hendbolli, por vendosi ta pranojë ftesën e Istogut për të luajtur dhe tani e ftoi Brazili.

“Ftesa është befasi në fakt. Kam vendosur ta lë hendbollin dhe më pas erdha që të luaj për Istogun. Nuk e kam pritur këtë ftesë. Por natyrisht, është gjithnjë mirë kur ftohesh dhe jam shumë e lumtur që të jem në gjendje të marr pjesë”, ka thënë Luna Gonçalves për KOHËN.

Ajo nuk ka luajtur ndeshje zyrtare për Brazilin. Ishte paraqitur në një turne përgatitor në Norvegji me përfaqësuesen A. Ka luajtur për ekipin universitar të Brazilit po ashtu.

Paraqitja në Lojëra Olimpike natyrisht është ëndërr për Lunan, si për gjithë sportistët e tjerë.

“Mendoj se thuajse secili sportist ëndërron për Lojërat Olimpike. Të jem vërtet e sinqertë, ka shumë lojtare të shkëlqyera braziliane. Dhe preferoj të mos pres asgjë. Por natyrisht nëse kam një shans do të thoshte ëndërr e realizuar”, ka theksuar Luna Gonçalves.

Istogu në përbërje e ka edhe brazilianen tjetër, Dayane da Rocha. Ajo ishte pjesë e Brazilit në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” e po ashtu në ngjarje madhore të mëhershme.

Dy brazilianet dhanë kontribut në triumfin e Istogut në Superligën e Kosovës e, po ashtu, në garën e Kupës së Kosovës.

Gonçalves, 34-vjeçare, ka përvojë të gjatë në hendboll. Pos në Brazil ajo ka bërë karrierë edhe në Norvegji e Spanjë. Shquhet për organizimin e lojës.

Istogu është duke u përgatitur për ta vazhduar dominimin në hendbollin kosovar, por edhe për sukses në Kupën Evropiane. Fillimisht do të luajë me Çairin e Shkupit. Është arritur marrëveshja që të dyja ndeshjet të luhen në Istog.

“Çdo gjë është në rregull tek Istogu. Po ushtrojmë shumë, po ushtrojmë fort. Kemi shumë synime për këtë vit dhe jemi të fokusuara”, ka thënë Luna Gonçalves, që tashmë mund të quhet reprezentuese e Brazilit.