Sport

Rashica te Galatasaray për ta kthyer karrierën në rrugën e duhur

Descriptive Text

Në një klub me tifozë të zjarrtë, Milot Rashica do të tentojë ta kthejë karrierën në rrugën e duhur. Futbollisti i Kosovës të enjten mbrëma është bashkuar zyrtarisht me klubin e madh turk, Galatasaray. Rashica është huazuar nga Norwich City, që tani luan në kategorinë e dytë angleze.

Huazimi është i vlefshëm deri në fund të edicionit, ndërsa Rashica do të paguhet gjatë kësaj periudhe 1,5 milionë euro. Për huazimin, Galatasaray nuk i ka paguar asgjë Norwichit.

Në të vërtetë periudha te Norwichi nuk ishte e suksesshme për Rashicën. Skuadra nuk ia doli të siguronte ekzistencën në Premier League, ndërsa Rashica së fundi nuk është aktivizuar në ndeshjet e kategorisë së dytë angleze.

Këtë edicion kishte një asistim në katër paraqitje. Në edicionin e kaluar luajti në 31 ndeshje në Premier League, ndërsa kishte vetëm një gol e dy asistime. Një gol e kishte shënuar në ndeshjet për Kupë.

Rashica e ka nisur karrierën në Vushtrri, ndërsa më pas është transferuar te Vitesse në Holandë. Te kjo skuadër qëndroi prej vitit 2015 deri në vitin 2018. Deri në vitin 2021 ishte te Werderi, në Bundesligë. Nisi mbarë, por në fund pësoi rënie. Kështu kaloi te Norwichi dhe tani është te Galatasaray.

Rashica fillimisht ishte reprezentues i Shqipërisë, ndërsa në vitin 2016 iu bashkua Kosovës. Deri më tani ka luajtur 44 ndeshje, ndërsa i ka realizuar tetë gola.

Galtasaray është prej klubeve më të mëdha në Turqi. Vazhdimisht lufton për trofe dhe kërkesat e tifozëve për lojtarët janë shumë të mëdha. Rashica do ta ndiejë përkrahjen e shikuesve, por ndoshta edhe presionin e tyre.

Galatasaray të enjten mbrëma ka prezantuar edhe Mauro Icardin, Juan Matan, Yusuf Demirin e Mathias Ross Jensenin.

Te Galatasarayt, Rashicës do t’i duhet të luftojë për pozitë të startuesit. Konkurrenca në ekip vlerësohet e madhe.

Skuadra edicionin e kaluar përfundoi vetëm e 13-ta. Tani synon të kthehet te trofetë. Ka 22 tituj të Turqisë, që është rekord. Titullin e fundit Galatasaray e ka fituar në vitin 2019.