Sport

Te Ballkani favorizojnë Clujin, por premtojnë lojë të hapur

Descriptive Text

Trajneri Ilir Daja pranon se Cluji është favorit përballë ekipit të tij, Ballkanit. Por, trajneri nga Tirana pret që Ballkani të marrë rezultat pozitiv ndaj kampionit të Rumanisë. Për t’i bërë ballë ekipit të madh rumun, Daja ka kërkuar mbështetje masive nga shikuesit.

Ballkani dhe Cluji do të ballafaqohen të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja nis nga ora 18:45 dhe i takon Grupit G të Ligës së Konferencës. Në Grupin G është edhe Slavia Praga e Çekisë dhe Sivasspori i Turqisë.

Për Ballkanin është debutim në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Asnjë ekip i Kosovës nuk ka arritur deri më tani në grupet e garave kontinentale në futboll.

Kështu që ndeshja e së enjtes mbrëma është e veçantë për Ballkanin dhe futbollin kosovar në përgjithësi.

“Është kënaqësi që nesër do ta prezantojmë Kosovën në grupet e Ligës së Konferencës. Jemi krenarë që përfaqësojmë Kosovën dhe kjo na shton përgjegjësinë. Ekipet kundërshtare janë më favorite se Ballkani, duke e ditur që kanë eksperiencë më të madhe në garat evropiane dhe kampionatet e tyre janë më të forta sesa kampionati i Kosovës. Do të marrim gjërat hap pas hapi, siç kemi bërë deri më tani. Cluji është ekip i mirë, është ekip kampion. Ne nuk jemi favorit në grup. Ne do të luajmë dhe do të sulmojmë”, ka thënë Daja në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën pasdite.

Për dallim nga Ballkani, Daja ka përvojë në fazë grupore. Ai së bashku me tre lojtarë të ekipit nga Suhareka ishin pjesë e Skënderbeut të Korçës që luajti në grupe të Ligës së Evropës.

Daja ka theksuar se është përkujdesur që ekipin ta përgatitë vetëm në aspektin tekniko-taktik, për shkak se në aspektin emocional lojtarët kanë treguar personalitet dhe pjekuri në ndeshjet e raundeve kualifikuese.

Trajneri i kampionit kosovar ka theksuar se Cluji do të paraqitet më i freskët të enjten. Ekipi rumun ka pushuar në fundjavë, derisa Ballkani luajti derbin me Prishtinën në kryeqytet. Daja ka treguar se kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, do të mungojë shkaku i lëndimit të pësuar në derbin ndaj Prishtinës.

“Është mungesë e madhe ajo e kapitenit Kuç. Kapiteni ka mentalitet fituesi dhe atë e përcjell edhe te lojtarët tjerë. Me lojtarët që kemi në dispozicion do të mundohemi ta bëjmë të padukshëm mungesën e Kuçit. Të gjithë të tjerët janë të gatshëm”, ka thënë Daja.

Se Ballkani është i përgatitur për ndeshjen e madhe, e thotë edhe qendërmbrojtësi i suharekasve Lumbardh Dellova. Ai ka pranuar se Ballkanin e pret ballafaqim i vështirë me skuadrën rumune, por shpreson në sukses.

“Duke marrë parasysh që kundërshtari ka traditë në këtë nivel të garave, ne jemi përgatitur maksimalisht dhe do ta japim më të mirën. Të gjithë të fokusohemi në ndeshje dhe të kërkojmë rezultat pozitiv. Jemi të mësuar nga emocionet e ndeshjeve evropiane dhe nuk jemi të ngarkuar emocionalisht. Nuk do të jetë ndonjë problem kjo për ne”, tha Dellova.

Ndërkohë, drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi, ka bërë thirrje për përkrahje sa më masive nga shkallët e stadiumit.

Ballkani konferencën për shtyp e ka mbajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa stërvitjen e fundit e kreu në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Ballkani paraqitjen e parë në garat evropiane i nisi në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. E eliminua nga Zhalgirisi i Lituanisë dhe u zhvendos në Ligën e Konferencës që është niveli i tretë i kupave evropiane.

Në kualifikimet e Ligës së Konferencës eliminoi skuadrat si La Fiorita nga San Marino, Klaksvik nga Ishujt Faroe dhe Shkupin e Maqedonisë së Veriut. Tani i ka të sigurta edhe gjashtë ndeshje evropiane, tri prej tyre në stadiumin në Prishtinë.