Sport

Policia nis hetimet për rrahjen në “Fadil Vokrri”

Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka bërë të ditur të hënën për KOHËN se kanë nisur hetime për dy raste për përleshjen e tifozëve para ndeshjes së luajtur të dielën mbrëma në mes të Prishtinës dhe Ballkanit (0:1). Gjatë përleshjes siç thotë Borovci janë tre të lënduar.

“Janë tre të lënduar e dy raste të inicuara. Ende nuk ka të arrestuar”, ka thënë Borovci për KOHËN.

Fillimisht pati një kacafytje të vogël nga tifozët e Ballkanit “Xhebrailat” me disa shikues që qëndronin në pjesën lindore, ndërsa u bë më masive me të mbërritur edhe disa nga pjesa jugore ku ishin të vendosur “Plisat” që pa u penguar fare kaluan rrethojat.

Në stadium nuk kishte as pjesëtar të sigurimit e as zyrtarë policor, kur ndodhi incidenti, ndonëse kishte rreth 7000 shikues në tribuna.