Sport

Munishi premton se “Plisat” do të japin leksion falas të dielën mbrëma

Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi me padurim po e pret ndeshjen derbi kundër kampionit në fuqi, Ballkanit.

Kjo ndeshje zhvillohet të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, dhe është e para këtë edicion për ekipin nga kryeqyteti që luan në shtëpi.

Në një prononcim për faqen zyrtare të Prishtinës në Facebook, Munishi ka thënë se të dielën mbrëma tifogrupi “Plisat” do të japin leksion falas për të gjithë ata që duan të mësojnë.

“Të dielën mbrëma do të jetë kënaqësi me qenë prishtinas dhe anëtar i FC Prishtinës. ‘Plisat’ do të japin leksion falas për ata që duan të mësojnë”, ka thënë Munishi.

Ndërkohë, ditë më parë në një intervistë për KOHËN, Munishi ka thënë se ndeshjen kundër Ballkanit e konsideron të fituar, pasi pret që fitoren t’ia sigurojnë tifozët e vërtetë të Prishtinës me përkrahjen e madhe.

Po ashtu, ai ka ftuar tifozët që të jenë në numër sa më të madh në tribunat e stadiumit. Pas tri ndeshjeve të zhvilluara, Prishtina ka tubuar shtatë pikë, një më shumë se Ballkani që deri më tani i ka luajtur vetëm dy ndeshje në Superligë.