Sport

Suharekasit kërkojnë pikë në fazën grupore të Ligës së Konferencës

Skuadra e Ballkanit u është kthyer përgatitjeve, pas festës së madhe që e kishte të enjten. Suharekasit tani do të paraqiten për fazën grupore të Ligës së Konferencës. Është sukses historik i Ballkanit, por te kampioni i Kosovës kërkojnë edhe më tepër.

Do të kërkojmë të marrim sa më shumë pikë që është e mundur, ka theksuar kapiteni i skuadrës së Ballkanit, Edvin Kuç.

Kuç dhe bashkëlojtarët të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë siguruan kalimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke e eliminuar Shkupin me rezultatin e përgjithshëm 3:1.

Në Grupin G, Ballkani do ta ketë punë me Slavia Pragën, Sivassporin dhe Clujin. Me ndeshje evropiane Ballkani vazhdon më 8 shtator.

Te Ballkani e vlerësojnë të vështirë grupin. Por atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe suharekasit shpresojnë për suksese tjera evropiane.

“Kemi arritur sukses të madh. Jo vetëm për Suharekën por për këto sukses është gëzuar e tërë Kosova, e kemi bërë krenar tërë Kosovën. E rëndësishme për ne është që jemi kualifikuar në grupe fillimisht. Tash presioni është larguar dhe në grupe nuk do të shkojmë për aventurë. Do të provojmë të marrim pikë dhe të shkruajmë sërish histori, pse jo”, ka thënë Edvin Kuç, kapiten i Ballkanit.

Ballkani për herë të parë merr pjesë në gara evropiane. Edicionin e kaluar fitoi titullin e kampionit në elitën e futbollit kosovar, të parin në histori të klubit.

Në raundin e parë të Championsit u eliminua nga Zhalgirisi, ndërsa deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës arriti pasi eliminoi La Fioritan e San Marinos, Klaksvikun e Ishujve Faroe dhe Shkupin e Maqedonisë së Veriut.

Për shkak të rregullimit të fushës në Suharekë, Ballkani ka stërvitur të shtunën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ndërsa ndeshjet si vendës po i luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Sonte nga ora 20:00, Ballkani e luan takimin e xhiros së katërt ndaj Dukagjinit të Klinës.

Për ecurinë e Ballkanit në garat evropiane dhe për zhvillimet e tjera në futboll, në Sportin Total, sonte prej orës 22.15, do të flasim me Rafet Prekazin, Albion Rrahmanin dhe Erdin Hashanin.