Sport

Skuadrat e kreut në La Liga synojnë vazhdimin e formës së mirë

Edhe xhiroja e tretë e La Ligas po zhvillohet përgjatë katër mbrëmjeve për shkak të temperaturave të larta, ndërsa katër skuadrat e para në tabelë synojnë vazhdimin e startit të përkryer.

Villarreali, Real Madridi, Betisi dhe Osasuna kanë nga gjashtë pikë pas dy dueleve të para, kurse Barcelona në vendin e pestë ka katër pikë.

Kampioni në fuqi, Real Madridi, mund të jetë frymëzuar pasi çmimet kryesore të UEFA-s u fituan nga Karim Benzema dhe Carlo Ancelotti. Reali luan të dielën në udhëtim te Espanyoli nga ora 22:00.

Espanyoli nuk do ta ketë në radhët e veta sulmuesin Raul de Tomas.

Madrilenët e zhvillojnë ndeshjen e tretë në udhëtim këtë sezon për shkak se stadiumi “Santiago Bernabeu” është në rinovim, afër përfundimit.

Barcelona synon të marrë pikët e plota në shtëpi ndaj Valladolidit. Skuadra e Xavit po fillon të marrë formë. Disa lojtarë kanë ardhur e të tjerë pritet të largohen. Të premten u regjistrua edhe mbrojtësi Jules Kounde.

Xhiroja e tretë në La Liga do të mbyllet me takimin Valencia – Atletico Madrid, të hënën. Kjo ndeshje nis në orën 22:00.