Sport

Daja ua jep meritat lojtarëve për kualifikimin e Ballkanit

Trajneri i suharekasve, Ilir Daja, ua dha meritat gjithë lojtarëve për suksesin e arritur, kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Çelësi i suksesit është bashkëpunimi. Presidenti i klubit bëri që të kemi një ekip të tillë. Ballkani ishte debutues. Lojtarët debutuan, por është një grup me cilësi dhe element të rëndësishëm. Janë djem të mirë brenda dhe jashtë fushës. Si trajner jam ‘i bezdisshëm’, me ngarkesa dhe në pjesën e videove. Ata nuk u mërzitën. I gjithë suksesi shkon për ta. E ndaj këtë sukses me gjithë Suharekën dhe gjithë Kosovën sepse dolëm përtej qytetit. Përfaqësuam gjithë futbollin e Kosovës. Falënderoj tifozët tanë dhe të ekipit mysafir sepse na pritën shumë mirë atje. Kartoni e ndryshoi rrjedhën e lojës sepse Shkupi do të sulmonte me gjitha forcat pas fitores që e arritëm në Shkup. Dalja me karton të kuq na lehtësoi punën. U treguam të mençur dhe të duruar. E pamë që Shkupi tërhiqej prapa dhe tentonte nëpërmjet kundërsulmeve të na sulmonte. Ne mundoheshim të kishim topin në qarkullim dhe të dominonim fizikisht. Besoj që asnjë ekip nuk na ka dominuar në Prishtinë, qoftë Zhalgirisi apo Klaksviku, si dhe La Fiorita”, tha trajneri Daja.