Sport

Hajvalia me fitore 7:0 në Champions

Kampionia e Kosovës në futboll (femrat), EP-COM Hajvalia, ka shënuar fitore shumë të lartë të dielën në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen për vendin e tretë në grup, Hajvalia në Enschede të Holandës ka fituar 7:0 ndaj kampionit të Moldavisë, Agarisa Anenni Noi.

Fitorja nuk i shërben Hajvalisë për avancim tutje, por natyrisht ka rëndësinë e saj për klubin kosovar.

Fortesa Berisha ka shkëlqyer te Hajvalia, duke realizuar plot katër gola. Fatlinda Ramaj, Feride Kastrati dhe Qëndresa Krasniqi e shënuan nga një gol.

Në gjysmëfinale të raundit të parë kualifikues, Hajvalia kishte pësuar thellë, 9:0, nga Benfica e Portugalisë.

Ndërkohë Agarista moldave kishte pësuar edhe më thellë, 13:0, nga Twente, që edhe e organizon turneun tetë.

Raundi i parë kualifikues i Championsit për futbolliste organizohet në formë të turneve. Vetëm fituesi i turneut avancon në raundin e dytë.

Prej grupit të Hajvalisë, do të avancojnë Twente apo Benfica, që përballen prej orës 18:00.