Sport

Tucheli suspendohet për një ndeshje pas konfliktit me Conten

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel është suspenduar për një ndeshje dhe është gjobitur me 35 mijë funte për konfrontimin që e kishte me Antonio Conten në fund të derbit me Tottenhamin, të dielën e kaluar.

Trajneri i Tottenhamit, Conte, po ashtu është gjobitur me 15 mijë funte, pasi të dy trajnerët pranuan sjelljet e pahijshme në barazimin 2:2 në derbin e madh. Megjithatë pezullimi i Tuchelit është suspenduar përkohësisht, ka njoftuar Sky Sports. Pezullimi është suspenduar në pritje të arsyeve të plota me shkrim për vendimin.

Kështu trajnerit gjerman i lejohet të jetë në stol në ndeshjen e së dielës ndaj Leedsit. Tuchel dhe Conte u përfshinë në një seri grindjesh gjatë derbit të zjarrtë.

Anthony Taylor i ndëshkoi me kartonë të kuq në fundin e ndeshjes, pasi konfrontimi mes tyre ishte më i ashpër.