Sport

Atletikë, Gresa Bakraçi e fundit në Evropian

Atletja Gresa Bakraçi nuk ka pasur garë të suksesshme në Kampionatin Evropian që po mbahet në Munih të Gjermanisë. Bakraçi garoi të martën në vrapim 1500 metra dhe mbeti e fundit në kualifikime. Koha e saj ishte 4:38.10 minuta.

E parafundit në kualifikime ishte për gati 20 sekonda më e shpejtë se atletja kosovare. E parafundit ishte norvegjezja Ingeborg Ostgard me kohë prej 4:19.36 sekonda. Kalimi në finale është siguruar me kohë prej 4:07.20 sekonda. Pra Bakraçi ishte shumë larg kalimit në finale. Ajo madje nuk i është afruar as kohës më të mirë personale, prej 4:20.56 minuta. Këtë rezultat e kishte arritur këtë vit. Në vrapimin në 1500 metra ishin 27 atlete, të ndara në dy grupe.

Bakraçi ishte në grupin e dytë. Më e mira në kualifikime ishte polakja Sofia Ennaoui me kohë prej 4:02.73 minuta. Rekordi botëror në vrapimin 1500 metra është 3:50.07 minuta. Atë e ka vendosur Genzebe Dibaba e Etiopisë në vitin 2015. Rekordi evropian është 3:51.95 minuta, që e ka vendosur Sifan Hassan e Holandës në vitin 2019. Ndërkohë rekordin e Evropianit e mban rusja Tatyana Tomashova. Ajo në vitin 2006 kishte vrapuar për 3:56.91 minuta. Në Evropian ka garuar edhe Muhamet Ramadani. Ai ishte i fundit në hedhje të gjyles. Nuk i është afruar rekordit personal.