Sport

Leon Dervishaj, kosovari që përfaqëson Gjermaninë në volejboll

Ka lindur në Gjermani, jeton me familje në Zvicër, por karrierën tani do ta vazhdojë në Poloni te skuadra Gwardia Wroclaw.

Është ky volejbollisti nga Kosova, Leon Dervishaj. Fillimisht Dervishaj ka qenë reprezentues i Zvicrës për grupmosha të reja. Kurse tani ka vendosur ta përfaqësojë Gjermaninë. Në opsion ka qenë edhe Kosova.

Për KOHËN, Dervishaj thotë se nuk ka qenë e lehtë që të marrë ftesën e Gjermanisë. Po ashtu, tregon se ka pasur edhe telashe për të ndërruar përfaqësuesen, pasi në fillim ka qenë pjesë e Zvicrës.

“Rruga ime për në ekipin e Gjermanisë do të thosha se ishte shumë e vështirë. Kam filluar të luaj në Zvicër, që do të thotë se nuk isha në hartën e Përfaqësueses së Gjermanisë. Pastaj është dashur të vija në Bundesligë ta dëshmoja veten, të përmirësohem. Pastaj mora ftesën, dolën disa telashe me licencën time, sepse kam luajtur në Zvicër, por tani gjithçka është e zgjidhur dhe jam gati për të luajtur. Kam menduar për Kosovën. Vite më parë kam menduar se ndoshta është i mundur një opsion i tillë, por kur u bë më Gjermaninë më nuk ishte opsion”, tha Dervishaj, që është i gjatë 195 centimetra.

25-vjeçari, që luan në pozitën e pasuesit, këtë verë u transferua te Gwardia Wroclaw që garon në kategorinë e dytë të volejbollit në Poloni.

Ai synon që në Poloni të bëhet profesionist i vërtetë.

“Synimi im personal është të zhvillohem edhe më shumë si lider, si lojtar i mirë, të punoj shumë dhe të bëhem profesionist i vërtetë. Dhe, me këtë ekip që jam tani, jam më se i bindur se do t’i arrij synimet. Jam shumë i lumtur me ekipin aktual, sepse më ka dhënë besim të madh, me besojnë. Synimi është të ngjitemi në elitë që besoj se mund t’ia dalim. Do ta shijoj lojën time dhe besoj se do ta ndihmoj ekipin në arritjen e synimeve. Pse tani luaj në Poloni është se ekipi im në Gjermani ka telashe financiare dhe më liroi në korrik. Me agjentin tim i shqyrtuam të gjitha opsionet pasi ofertat nuk mungonin nga mbarë Evropa. Por mendoj se kjo ishte zgjidhja më e mirë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi”, theksoi Dervishaj.

Karrierën Dervishaj e ka nisur tek Aarau në Zvicër. Më pas ka luajtur edhe në Gjermani te Herrschingu, Rotemburgu, Lueneburgu dhe te Frankfurti.

Numri i volejbollistëve kosovarë në nivelet serioze evropiane është fare i vogël.