Sport

I dëshpëruar, Ten Hag anulon ditën e pushimit për lojtarët e Unitedit

Descriptive Text

(Daily Mail) – Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag u ka treguar lojtarëve se kush është “bosi”, duke anuluar ditën e tyre të pushimit, pas humbjes 4:0 të pësuar të shtunën nga Brentfordi në kuadër të Premier Leagues. Paraqitja e lojtarëve të Unitedit është vlerësuar të jetë nën çdo nivel dhe Ten Hag i ka ftuar ata në qendrën stërvitore në Carrington për stërvitje shtesë dhe për të analizuar se gjërat shkuan aq keq ndaj skuadrës së Thomas Frank.

Lojtarët e Ten Hag u shpartalluan nga skuadra e Brentfordit, që shënoi plot katër gola brenda 34 minutave të parë të ndeshjes. Kjo i ka lënë Cristiano Ronaldon dhe bashkëlojtarët e tij në fund të tabelës. Brightoni ishte skuadra që mposhti Unitedin në xhiron e parë.

Priten kritika të mëdha nga Ten Hag, pasi ekipi me plot yje ndërkombëtare të futbollit u turpërua gjatë vizitës në Brentford.

“Djajtë e Kuqë” nuk kanë ndeshje edhe tetë ditë, por kjo nuk ka penguar ish-trajnerin e Ajaxit që të anulojë planet eventuale të lojtarëve për relaksim, pas pasdites katastrofale të shtunën.

52-vjeçari është angazhuar shumë për të zbatuar idetë e tij, por skuadra e Unitedit po paraqitet shumë dobët. Ka shumë vërejtje për organizimin e lojës e po ashtu për mbrojtjen që mposhtet shumë lehtë. Manchester Unitedi ka pësuar gjashtë gola në dy ndeshje, ndërsa goli që shënoi ishte autogol i kundërshtarit në ndeshjen e parë.

Skuadra e Ten Hagut të shtunën u gjend në vështirësi që në minutën e dhjetë, kur portieri David De Gea dërgoi në portën e tij topin e goditur nga Josh Dasilva. Portieri De Gea ndihmoi edhe në dyfishimin e epërsisë së Brentdordit, tetë minuta më vonë. Ai bëri pasim të gabuar. Dy gola të tjerë erdhën shpejt dhe kjo ka lënë në dëshpërim tifozët e shumtë të Unitedit.

“Ishte shumë keq, shumë zbehtë. Ne kemi nevojë për standarde më të larta. Kjo është e qartë”, ka thënë Ten Hag për BeIN Sports, pas ndeshjes.

“Është dashur të bëjmë lojë dhe nuk kemi bërë. Duhet të ndryshojmë, kjo është e qartë. Për 35 minuta kemi pranuar katër gola. Është e pamundur. Ekipi duhet të marrë përgjegjësi. Më vjen vërtet keq për tifozët. Ne i kemi tradhtuar ata”.

Është një fillim i edicionit që asnjë tifoz i Unitedit nuk e ka dashur. Shpresat e tyre ishin të mëdha, pas fazës përgatitore impresive. Por ndeshjet kampionale ishin larg prej atyre që ishin shpresuar.

Drejtuesit e klubit kanë dështuar t’ia sigurojnë trajnerit lojtarët që i ka kërkuar gjatë gjithë verës. Përpjekjet për Frenkie de Jong vazhdojnë ende.

Pas poshtërimit të fundit, skuadra e Manchesterit është bërë objekt talljeje nga tifozët dhe ekspertët anembanë botës. Dhe për këtë i janë dashur vetëm dy ndeshje.