Sport

Me triumfin në Superkupën e Evropës, Reali paralajmëron trofe të tjerë në sezonin e ri

Real Madrid - Superkupa e Evropës

Real Madridi e nis sezonin 2022/23 në La Liga plot me besim se mund ta mbrojë titullin e kampionit, pavarësisht shpenzimeve të mëdha të Barcelonës në përforcime këtë afat kalimtar. Barcelona pret Rayo Vallecanon të shtunën, një ditë përpara se Reali ta vizitojë Almerian e kthyer në elitë në xhiron e parë. I udhëhequr nga favoriti për “Topin e Artë”, Karim Benzema, Reali bëri paraqitje të jashtëzakonshme sezonin e kaluar duke fituar Ligën e Kampionëve për herën e 14-të dhe duke lënë prapa Barcelonën e Atletico Madridin në kampionat.

Pasi ka mbajtur të gjithë titullarët dhe rezervat e rëndësishme, si dhe ka bërë përforcime të përzgjedhura në mesfushë dhe mbrojtje, skuadra e Carlo Ancelottit haptazi ka treguar aspiratat për të rrëmbyer të gjithë trofetë për sezonin e ri. Këtë e konfirmoi edhe me suksesin në Superkupën e Evropës. Real Madridi ishte në formë kampionati të mërkurën mbrëma kur fitoi Superkupën e UEFA-s pasi mposhti Eintracht Frankfurtin 2:0, falë golave ​​të Benzemas dhe David Alabas. Tani, klubi nuk synon t’i mbrojë trofetë evropianë dhe spanjollë, por të triumfojë edhe në Kupën e Superkupën e Spanjës.

“Kur je i suksesshëm, është e vështirë ta bësh sërish”, tha mbrojtësi Dani Carvajal. “Ne do të luftojmë për gjithçka. Barcelona, Atletico dhe Sevilla do ta na bëjnë jetën të vështirë në La Liga. Duhet t'i qasemi ndeshje pas ndeshjeje edhe Championsit. Ne kemi fituar një titull tashmë dhe synojmë pesë të tjerë në sezonin 2022/23”.

Real Madridi do të fillojë mbrojtjen e titullit të ligës të dielën në Spanjën jugore, tek Almeria, e cila fitoi divizionin e dytë sezonin e kaluar. Kërcënimi më i madh i Almerias modeste është sulmuesi i Nigerisë, Umar Sadiq. Ancelotti, i cili i tejkaloi pritshmëritë sezonin e kaluar pasi u kthye për një periudhë të dytë në krye të skuadrës, duhet të ketë më shumë për të punuar nga banka e rezervistëve këtë sezon. Veteranët pak të përdorur Gareth Bale, Isco Alarcon dhe Marcelo janë larguar të gjithë. Klubi, tashmë ka shtuar mbrojtësin Antonio Ruediger dhe mesfushorin defensiv Aurelien Tchouameni. Reali do të mburret ende me përzierjen e tij të fituesve të dëshmuar, si Benzema, Luka Modriq, Toni Kroos dhe Thibaut Courtois, së bashku me lojtarët më të rinj Vinicius Junior, Federico Valverde, Eder Militao dhe Rodrygo. Ancelotti vlerësoi shpirtin e ekipit që lojtarët e tij kanë krijuar, duke thënë se “kjo është zhveshtorja më e shëndetshme që kam stërvitur” në karrierën e tij të gjatë që ka përfshirë suksesin edhe te Milani, Chelsea, Bayern Muencheni e Paris Saint-Germaini. Real Madridi, megjithatë, duhet të përballet me një sfidë më të vështirë nga Barcelona, ​​e cila përfundoi 13 pikë prapa pas një sezoni të trazuar pas largimit të Lionel Messit. Në pamundësi për të menduar një vit tjetër pa titull, Barcelona me shumë borxhe shiti 25 për qind të të drejtave televizive të ligës spanjolle për 25 vjetët e ardhshëm dhe një pjesë të kompanisë së saj të prodhimit për të marrë paratë e nevojshme për ta përforcuar ekipin. Pra, në vend që të sulmojë e udhëhequr nga Memphis Depay dhe Pierre-Emerick Aubameyang, ish-ylli i skuadrës së Bayernit, Robert Lewandowski, do të jetë sulmuesi kryesor i Barçës. Anësori Raphinha ka mbërritur nga Leedsi për të konkurruar me Ousmane Dembelen, Ferran Torresin dhe Ansu Fatin për kohën e lojës në të dyja anët e Lewandowskit, ndërsa Jules Kounde u zhvendos nga Sevilla për ta forcuar mbrojtjen. Këto tri nënshkrime i kushtuan klubit 160 milionë euro, shtuar kësaj edhe lojtarët e lirë si Andreas Christensen e Franck Kessie.

“Duhet të pranojmë se Barcelona ka shtuar disa lojtarë cilësorë, me Raphinhan, të cilin e njoh mirë, me Lewandowskin, i cili është një tjetër lojtar i klasit botëror”, pranoi mesfushori i Realit, Casemiro. “Ata do të përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre. Ne gjithashtu do të duam të luajmë më mirë, kështu që skuadra më e mirë le të përfundojë në krye”.

Mbetet e paqartë nëse nënshkrimet e reja të Barcelonës do të jenë në gjendje të bëjnë debutimin e tyre kundër Rayos për shkak të rregullave të pagave të ligës që kufizojnë se sa shumë klubet mund të shpenzojnë për lojtarët në lidhje me bilancin e tyre financiar. Presidenti i klubit, Joan Laporta, ka thënë se klubi i tij do të jetë në gjendje të regjistrojë nënshkrimet e reja, por dy ditë para hapjes së sezonit të ri, Barcelona ende nuk ka regjistruar zyrtarisht Lewandowskin dhe lojtarët e tjerë të rinj në ligë. Real Madridi, Atletico dhe Sevilla, së bashku me shumicën e klubeve të tjera, kanë regjistruar lojtarët e tyre të rinj. Afati i fundit është fundi i gushtit për të luajtur në sezonin e ligës 2022/23. Pra, vera e ngarkuar e Barcelonës ka të ngjarë të mos përfundojë. Klubit mund t'i duhet të shesë lojtarë ose më shumë asete klubi për të marrë transferimet e tij të reja në aksionin e ligës, ndërsa përpiqet t’i japë Real Madridit një sfidë të vërtetë.