Sport

Pas debutimit përrallor, Haaland premton gjëra edhe më të mëdha

Erling Haaland

Erling Haaland ka thënë se ky është vetëm fillimi, pasi ka shënuar dy gola në ndeshjen debutuese në Premier League. Manchester City me dy golat e Haalandit fitoi 2:0 ndaj West Ham Unitedit, të dielën.

Norvegjezi fitoi dhe më pas me qetësi realizoi penallti, para se të konkretizonte në gol në një pasim të Kevin de Bruynes. Haaland u bë lojtari i parë që ka shënuar dy gola në debutim, që kur këtë e kishte bërë Sergio Aguero.

“Ka të bëjë me lidhjen që e bëjmë çdo ditë në stërvitje. Do të ketë edhe gjëra të tjera, kështu që nuk jam i brengosur”, ka thënë Haaland. “Ka mundur të ketë më shumë gola”.

Haaland po shihet si pasardhës i Agueros, që është realizatori më i mirë i të gjitha kohëve.

Ekipi i Pep Guardiolas ka fituar dy titujt e fundit në Premier League pa luajtur me një sulmues tipik. Trajneri i Cityt, Guardiola, është shprehur i lumtur me atë se sa shpejt ka nisur të shpaguhet transferimi i Haalandit.

“Erlingu është finalizues i mirë dhe po përshtatet shumë mirë”, ka thënë Guardiola.

“Ai ishte i mirë. Unë nuk mund ta mësoj atë që të shënojë gola. Kështu që vetëm duhet të jetë komod”, ka theksuar Guardiola.

Haaland është vetëm 22-vjeçar dhe tashmë është prej sulmuesve më të mirë në botë. Ai ka shkëlqyer te Borussia Dortmundi ku luajti nga viti 2020 e deri në këtë verë. Ka vendosur shumë rekorde te skuadra gjermane. Periudhë të mirë kishte edhe te Salzburgu në Austri. Në fakt, që nga fillimi është ditur se Dortmundi do të jetë klub i ndërmjetëm i Haalandit në rrugën drejt nivelit më të lartë. Te City ai pritet të konfirmohet si njëri prej më të mirëve në botë. Dhe fillimi menjëherë ka bërë të qartë këtë.

Haaland është ylli më i madh i Norvegjisë. Në 21 ndeshje me Përfaqësuesen i ka shënuar plot 20 gola.