Sport

Ballkani kërkon fitore ndaj Klaksvikut

Te Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, insistojnë se janë të gatshëm për duelin e parë të rundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në këtë rund, Ballkani përballet me kampionin e Ishujve Faroe, Klaksvikun. Ndeshja e parë luhet të enjten prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa ajo e kthimit pas një jave në Ishujt Faroe. Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka bërë të ditur se kërkon rezultat pozitiv ndaj Klaksvikut në ndeshjen e parë të këtij rundi. Daja, në konferencën për shtyp të mërkurën, ka paralajmëruar ekipin e tij që të jetë maksimalisht i përqendruar për këtë takim. Ai ka insistuar se në këtë rund nuk ka kundërshtar të lehtë dhe për këtë arsye ka kërkuar lojë të disiplinuar nga Ballkani.

“Në rundin e tretë nuk ka ndeshje të lehta, sepse ekipet apo ekipi që e kemi përballë është i disiplinuar. Mendoj se duhet të jemi të përqendruar dhe ekuilibruar, pasi gjithçka mund të vendoset nga detajet, ashtu siç na ndodhi me Zhalgirisin. Duhet të jemi cinikë, të shfrytëzojmë rastet dhe të arrijmë rezultat pozitiv”, tha Daja. “Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk mund të them se jemi ne apo kundërshtari favorit. Ekipi që do të ketë përqendrim maksimal, do të shkojë drejt objektivit. Shpresojmë të kemi fatin dhe të marrim fitore”.

Gjithashtu, Daja ka shtuar se Klaksviku luan mirë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Ballkani ka avancuar në këtë rund, pasi eliminoi La Fioritan e San Marinos me rezultatin e përgjithshëm 10:00. Ndërsa, Klaksviku ishte më i mirë sesa kampionia e Malit të Zi, Sutjeska. Skuadra që avancon këtë rund do të luajë në plejofin e kësaj gare dhe do të jetë vetëm dy ndeshje larg hyrjes në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës për këtë edicion. E në plejof, kundërshtar i Ballkanit ose Klaksvikut do të jetë humbësi i duelit mes Shamrockut dhe Shkupit, që zhvillohet në kuadër të rundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

“Jam krenar për atë që kanë arritur futbollistët dhe presioni nuk është fare i pranishëm tek ata, pasi këtë e kanë treguar që nga ndeshja e parë evropiane. Shpresoj që edhe në këtë ndeshje të futen me të njëjtën energji. Nuk do t’i tregoj pikat e dobëta, por Klaksviku ka pika të forta për shkak se luan mirë si në fazën e sulmit, ashtu edhe mbrojtjes”, ka thënë Daja.

Përkrah Dajës në konferencën për shtyp te Ballkani, u paraqit edhe mesfushori Nazmi Gripshi. Edhe Gripshi ka shprehur optimizmin e tij para përballjes së parë me Klaksvikun. Ai ka insistuar se gjithë ekipi është i motivuar dhe do të japë gjithçka nga vetja për fitore. Po ashtu, Gripshi ka thënë se ka parasysh faktin që Ballkani është ekipi i vetëm i Kosovës në garat evropiane dhe për këtë arsye do të mundohen të japin më të mirën nga vetja.

“Mendoj se jemi gati dhe kemi pasur kohë të mjaftueshme të përgatitemi. Po ashtu, kemi disa ndeshje që po i luajmë dhe mund të them se të gjithë jemi optimistë për këtë ndeshje. Do ta japim maksimumin dhe besoj që do të bëjmë një paraqitje dinjitoze, pasi vetëm Ballkani është tani përfaqësues i Kosovës në Evropë. Duhet t’i shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi për ta fituar këtë ndeshje”, ka thënë Gripshi.

Ballkani për ndeshjen e parë me Klaksvikun pritet të jetë i kompletuar. Gjithashtu, në përbërje pritet të kthehet qendërmbrojtësi Bajram Jashanica, që i mungoi në ndeshjen e fundit ndaj La Fioritas për shkak të lëndimit. Ballkani këtë edicion garat i nisi në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por u eliminua në rundin e parë kualifikues nga Zhalgirisi i Lituanisë. Pas këtij eliminimi, Ballkani i vazhdoi garat evropiane në Ligën e Konferencës. Rrugëtim të ngjashëm sikurse Ballkani në Evropë ka pasur edhe Klaksviku që u eliminua në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Bodo-Glimti. Ndërkohë, Klaksviku është lider në kampionatin e Ishujve Faroe pas 16 xhirove të zhvilluara këtë edicion. Për Ballkanin, kjo është hera e parë që po paraqitet në arenën ndërkombëtare. Këtë edicion, Kosovën në garat e UEFA-sa e përfaqësuan edhe Drita, Gjilani e Llapi. Drita u eliminua në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, ndërsa Gjilani e Llapi në të parin.