Sport

Daja kërkon rezultat pozitiv ndaj Klaksvikut

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka kërkuar rezultat pozitiv ndaj Klaksvikut në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Dueli mes Ballkanit dhe Klaksvikut, luhet të enjten prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Daja, në konferencën për shtyp të mërkurën ka paralajmëruar ekipin e tij që të jetë maksimalisht i përqendruar për këtë takim.

Ai ka insistuar se në këtë raund nuk ka kundërshtar të lehtë dhe për këtë arsye ka kërkuar lojë të disiplinuar nga Ballkani.

“Në raundin e tretë nuk ka ndeshje të lehta, sepse ekipet apo ekipi që e kemi përball është i disiplinuar. Mendoj se duhet të jemi të përqendruar dhe ekuilibruar pasi gjithçka mund të vendoset nga detajet, ashtu siç na ndodhi me Zhalgirisin. Duhet të jemi cinikë, të shfrytëzojmë rastet dhe të arrijmë rezultat pozitiv”, tha Daja. “Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk mund të them se jemi ne apo kundërshtari favorit. Ekipi që do të ketë përqendrim maksimal do të shkon drejt objektivit. Shpresojmë të kemi fatin dhe të marrim fitore”.

Gjithashtu, Daja ka shtuar se Klaksviku luan mirë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje.