Sport

Shtegtarët e klubeve të Evropës

Descriptive Text

Donis Avdijaj është vetëm 25-vjeçar. Por, në karrierën tetëvjeçare si lojtar profesionist, Avdijaj ka ndërruar plotë dhjetë klube. Zuerichu është klubi i dhjetë për Avdijajn. Sulmuesi të hënën ka kompletuar transferimin te kampioni i Zvicrës nga Harbergu austriak. Avdijaj vlerësohej talent i madh në moshë të re, por asnjëherë nuk e ka shfaqur më të mirën që i parashikohej. Ishte zhvilluar në Gjermani te Osnabrucku dhe Schalke, ekip që i kishte vënë një klauzolë të lartë largimi. Kishte luajtur disa ndeshje për ekipin e parë të Schalkes, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Sturm Grazi, Roda, Willem II, Trabzonspori, Hearti, Emmeni, Limmasoli dhe së fundi te Hartbergu. Avdijaj pret të qëndrojë më gjatë te Zuerichu sesa në klubet e tjera.

“Zuerichu është një ekip me cilësi të mëdha dhe është një hap shumë i mirë për mua. Unë besoj se ekipi do t’i kthehet formës. Unë jam i gatshëm për debutim, ndërsa i mbetet trajnerit nëse më aktivizon. Jam në formë të mirë. Kam dëshirë ta shoh ekipin duke arritur rezultat të mira në kampionat e po ashtu edhe në garat e Evropës. Dëshira është edhe imja të bëj paraqitje të mëdha. Jam i bindur se mund të vazhdoj me gola, ashtu siç kam bërë në Austri”, ka thënë Avdijaj të martën për KOHËN.

Avdijaj vlerësohet ende si pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Te Kosova shpresojnë që Avdijaj ta mbaj formën e mirë dhe dyert për të do të jenë të hapura për një kthim te Kosova. Edhe vetë Avdijaj synon të kthehet te Kosova.

“Për momentin jam i fokusuar te klubi i ri. Dua ta tregoj veten këtu e më pas të shohim. Nëse është mundësia dhe punët ecin mirë me ekip, ka mundësi të kthehem sërish”, tha ai.

Avdijaj është një prej disa lojtarëve të Kosovës që kanë ndërruar më shumë se pesë klube për një periudhë të shkurtër në karrierë. Ai ka arritur Ujkanin për nga numri i klubeve që ka ndërruar në karrierë.

Samir Ujkani (10)

Por, portieri i dytë i Kosovës, Samir Ujkani, shpejt mund t’ia kalojë Avdijajt. Ujkani ka ndërruar dhjetë klube, ndërsa është në kërkim të një klubi të ri. Karrierën e nisi si senior te Palermo. Më pas u huazua te dy skuadra të tjera italiane, Novara dhe Chievo. Ai në vitin 2015 u shit te Genoa, që po ashtu e huazoi te Latina dhe pastaj Pisa. Genoa e shiti Ujkanin në vitin 2017 te Cremonese. Pas Cremoneses, Ujkani u transferua te Rizespori, ndërsa nga një vit qëndroi edhe te Torino dhe Empoli. Ai është në kërkim të një skuadre të re e që do të jetë 11-ta në karrierë si senior.

Herolind Shala (10)

Karrierë në dhjetë klube ka bërë edhe mesfushori Herolind Shala. Ai është pjesë e Erzurumsporit që garon në kategorinë e dytë të Turqisë, ndërsa më herët ka luajtur edhe te Stabaeku, Valerenga, Starti, Lyngby, Kasimpasha, Slovan Libereci, Sparta Praga, Oddi dhe Notoddeni.

Benjamin Kololli (8)

Pas Avdijajt, Ujkanit dhe Shalës, më së shumti klube në karrierë ka ndërruar edhe Benjamin Kololli e Besar Halimi. Kolilli luajti si senior te Monthey, Sioni, Le Monti, Biel-Bienne, Young Boysi, Lausanne-Sport, Zuerichu. Aktualisht, Kololli është pjesë e klubit nga Japonia, Shimizu S-Pulse.

Besar Halimi (8)

Ndërkohë, Halimi luajti fillimisht si senior për Nuernberg II në vitin 2013, ndërsa një vit më vonë u paraqit te Stuttgarti II. Pas kësaj, mesfushori e vazhdoi karrierën te Stuttgarter Kickers, Mainz, FSV Franfurt, Brondby, Sandhausen dhe Raga. Ai është në kërkim të një klubi të ri për sezonin 2022/23, pasi është lojtar i lirë si Ujkani.

Astrit Selmani (8)

Hapoel Be’er Sheva edhe për Astrit Selmanin është klubi i tetë në karrierë. Ai te klubi nga Izraeli u transferua javën e shkuar nga Hammarby. Sulmuesi ka luajtur edhe për skuadrat tjera, si Varbergs, Torns, Rosengard, Kristianstad, Angelholms dhe Olympic.

Arijanet Muriq (7)

Portieri Arijanet Muriq debutoi në ekipin e parë me fanellën e Manchester Cityt. Por, Muriq nuk arriti të zë vend te kampioni i Anglisë. City e huazoi në pesë skuadra, ndërsa pak javë më parë e shiti te Burnley në Championship. Burnley është klubi i shtatë në karrierë për 23-vjeçarin e Kosovës. Para Burnleyt, Muriq luajti i huazuar nga City te NAC Breda, Nottingham Foresti, Girona, Willem II dhe Adana Demirspor.

Fidan Aliti (7)

Zuerichu për Fidan Alitin është klubi i shtatë në karrierë. Ai debutoi në vitin 2012 te skuadra Old Boys, pastaj luajti edhe për Luzernin, Sheriff Tiraspolin, Slaven Belupon, Skënderbeun e Korçës. Para se t’i bashkohej Zuerichut, Aliti ishte pjesë e Kalmarit të Suedisë.

Vedat Muriqi (6)

Vedat Muriqi ishte pranë kalimit te Club Brugge. Në rast se do të kalonte te klubi belg, për Muriqin do të ishte klubi i shtatë në karrierë. Por, kalimi te klubi elitar i Belgjikës dështoi, ndërsa Muriqi mbeti te Mallorca, që bleu kartonin nga Lazio. Mallorca është klubi i tij i gjashtë evropian. Para Lazios, Muriqi ishte pjesë e katër klubeve turke: Fenerbahçes, Rizesporit, Gençlerbirligit dhe Giresunsporit. Muriqi është 28-vjeçar, ndërsa ka gjasë që të ndërroj edhe ndonjë klub.

Valon Berisha (6)

Edhe për Valon Berishën, Reimsi i Francës është klubi i gjashtë. 29-vjeçari e nisi karrierën si senior te Egersundi, përpara se t’i bashkohej Vikingut. Mesfushori ka luajtur edhe për Red Bull Salzburgun në Austri, Lazion në Itali dhe Fortuna Duesseldorfin në Gjermani para se të zhvendosej në Francë.