Sport

Batatina e Sejdiu vlerësojnë se kampionati duhet të luhet edhe gjatë Botërorit

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e ka caktuar datën e fillimit të edicionit të ri dhe ka publikuar orarin e fazës së parë të garave. Sezoni 2022/2023 i Superligës së Kosovës në futboll do të nisë të shtunën e 13 gushtit ku do të luhen tri ndeshje: Trepça ’89 – Drita, Gjilani – Ferizaj dhe Dukagjini Prishtina. Ndërsa, një ditë më vonë, do të përballen Malisheva – Ballkani dhe Drenica – Llapi.

Të gjitha ndeshjet nisin në orën 17:00. Komisioni i Garave të FFK-së, ka vendosur që shumë xhiro të luhen në mesjavë dhe gjatë kohës që zhvillohet Kampionati Botëror “Katari 2022”, nga 21 nëntor deri me 18 dhjetor të mos zhvillohen ndeshjet e Superligës, që i bie se stinori vjeshtor duhet të përfundoi para 21 nëntorit. Ky vendim nuk i ka pëlqyer trajnerit të Llapit, Tahir Batatina. Sipas tij, do të jetë shumë vështirë për të gjitha klubet që të luajnë shumë ndeshje brenda një periudhe të shkurtër.

“Po mendoj që nuk ka me qenë lehtë për asnjë klub, sepse ngarkesat kanë me qenë të mëdha. Do të ketë shumë ndeshje për tu luajtur brenda një periudhe të shkurtër. Kampionati Botëror është arsyeja e këtij orari”, tha Batatina.

Krahas kësaj, Batatina po brengoset edhe për infrastrukturën. Ai shtoi se nuk është dashur që të caktohet mesi i nëntorit si fundi i stinorit vjeshtor.

“Unë problemin më të madh e shoh te fushat sesa tek orari. Është shumë vështirë me fusha artificiale dhe me dy ndeshje brenda javës. Ndoshta nuk është dashur të ndërpritet kampionati. Sido që të jetë, Llapi do të jetë gati dhe do të mundohet të kalojë çdo sfidë që do të na paraqitet gjatë kampionatit”, theksoi Batatina.

Skuadra e Llapit e nis sezonin e ri në udhëtim te Drenica. Trajneri që ka fituar dy tituj kampioni të Kosovës, me Trepçën dhe Feronikelin, Gani Sejdiu, vendimin e Komisionit të Garave e quan të çuditshëm dhe të paarsyeshëm. Sipas tij, ky vendim nuk është aspak në favor të klubeve.

“Më duket vendim i çuditshëm. Komisioni duhet të tregojë cilat janë ato kritere që e kanë shtyrë të marrë këtë vendim. Ndeshjet e Botërorit do të luhen herët me sa e di dhe do të mund të shikoheshin nga të gjithë. Botërori nuk do të ishin fare pengesë që të zhvillohej kampionati. Tek e fundit, orarin e bën Komisioni dhe ne nuk e kemi përfaqësuesen pjesëmarrëse në Botëror. Është e paarsyeshme të luhen shumë ndeshje, sepse do të jenë ngarkesë e madhe për lojtarët. Nuk është fare në favor të klubeve ky vendim. Mund të ketë lëndime nga ngarkesa e madhe”, u shpreh Sejdiu.

Periudhën tremujore të pushimit mes sezonit, Sejdiu e quan si gjënë më të keqe. Sipas tij, për lojtarët kjo do të jetë tejet e dëmshme.

“Përveç ngarkesës së madhe, do të jetë pushim i gjatë për lojtarët që të pushojnë nga mesi i nëntorit e deri në shkurt. Ato do të stërviten dhe të luajnë ndonjë miqësore, por jo edhe ndeshje kampionale. Kjo nuk është në favor të lojtarëve. Kjo periudhë është tepër e gjatë pasi po bëhet fjalë për tre muaj. Çdoherë është luajtur deri në fillim të dhjetorit dhe nuk shoh asnjë pengesë që kampionati të zhvillohet edhe gjatë Botërorit. Ka shtetet që e bëjnë një gjë të tillë”, përfundoi Sejdiu.

Përveç orarit të fazës së parë dhe vendimit që kampionati të mos zhvillohet gjatë Botërorit, Komisioni nuk e ka caktuar datën se kur do të luhet ndeshja e Superkupës së Kosovës ndërmjet kampionit Ballkanit dhe fituesit të Kupës, Llapit. Arsyeja është se Ballkani po merr pjesë në Ligën e Konferencës. Zakonisht, edhe në vendet e Evropës ndeshja e Superkupës zhvillohet një javë para se të nisë sezoni i ri. Po ashtu, një pushim prej gati tri javësh do të jetë edhe në periudhën 19 shtator – 1 tetor, kur do të zhvillohen ndeshjen e Ligës së Kombeve.