Sport

Reali mbështetet te Benzema edhe për sezonin e ri

Kur Karim Benzema pati dhimbje pasi u lëndua në një seancë stërvitore gjatë turneut parasezonal të Real Madridit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte e kuptueshme pse shokët e tij të skuadrës dhe stafi stërvitor u shfaqën të shqetësuar. Real Madridi nuk mund të përballojë të humbasë Benzeman, i cili ishte lojtari më i mirë i ekipit sezonin e kaluar dhe kishte një rol kyç pasi klubi fitoi Ligën e Kampionëve dhe Ligën spanjolle.

Për të përsëritur suksesin e tij, Reali e di se do t'i duhet sulmuesi 34-vjeçar i Francës për të pasur paraqitje të nivelit të lartë edhe për një sezon tjetër. Dhe klubi ka vënë bast se ai mund ta bëjë këtë - Madridi nuk bëri ndonjë shtesë të madhe në sulmin e tij këtë afat kalimtar. Fatmirësisht për Madridin ishte vetëm një goditje që e rrëzoi Benzemën në stërvitje. Ai është i vendosur të jetë gati kur Madridi të fillojë sezonin e tij këtë muaj.

“Benzema është në formë të mirë”, tha trajneri i Madridit, Carlo Ancelotti, që ka mbetur i kënaqur me turneun parasezonal në SHBA. “Ai është mirë, edhe pse nuk është stërvitur shumë. Ai u kthye mirë. Ai është mirë, por ende duhet të punojë për kthimin e formës fizike”.

Benzema nuk luajti në miqësoren kundër Barcelonës në Las Vegas javë më parë, kur Madridi pati telashe në sulm në humbjen 1:0. Benzema u rikthye në formacionin titullar kundër klubit meksikan Club America në San Francisco, duke luajtur mirë dhe duke shënuar një gol në barazimin 2:2. Ai gjithashtu shënoi një herë edhe në fitoren 2:0 të ekipit nga La Liga ndaj Juventusit në Los Angeles.

“Benzema është lojtari më i mirë në botë, kështu që pa dyshim që na mungon diçka kur ai nuk luan”, pranoi Ancelotti.

Madridi shpreson që Benzema të mund të ketë paraqitje që i pati edhe gjatë edicionit të shkuar, kur ai udhëhoqi sulmin e Realit që përfshinte gjithashtu edhe dyshen nga Brazili, Vinicius Junior dhe Rodrygo. Treshja e ndihmoi klubin të shënonte 80 gola në Ligën spanjolle, 12 më shumë se çdo klub tjetër. Benzema gjithashtu ishte vendimtar si drejtues i sulmit dhe këshilltar për të rinjtë.

“Karimi më ka thënë të jem i guximshëm që kur mbërrita në klub”, tha 22-vjeçari Vinícius. “Ne kemi pasur një lidhje shumë të mirë dhe jemi lidhur për të fituar shumë ndeshje”.

Vetë Benzema pati sezonin e tij më të mirë ndonjëherë në karrierë, duke qenë golashënuesi më i mirë në Ligën spanjolle dhe në Ligën e Kampionëve. Ai shënoi 44 gola nga 45 ndeshje me fanellën e Real Madridit dhe u barazua me Raul Gonzalezin si golashënuesi i dytë më i mirë i klubit me 323 gola, pas Cristiano Ronaldos që ka realizuar 451 gola.

Francezi, një kandidat i fortë për të fituar çmimet e lojtarit më të mirë të vitit për paraqitjet e tij sezonin e kaluar, ka lulëzuar pasi ishte nën hijen e Ronaldos derisa ylli portugez u largua për në Juventus në verën e vitit 2018. Real Madridi nuk bëri shumë nënshkrime të profilit të lartë që nga largimi i Ronaldos dhe përpjekja e tij për të rritur sulmin me Kylian Mbappen dështoi këtë verë. Sulmuesit e tjerë në skuadër përfshijnë Eden Hazardin, Marco Asension dhe Mariano Diazin. Gareth Bale u largua javë më parë si lojtar i lirë dhe klubi nuk e zëvendësoi uellsianin me ndonjë lojtar tjetër.

Shtesat e vetme të Real Madridit në ekip për sezonin e ri, erdhën më mbrojtje dhe në mesfushë. Mbrojtësi Antonio Ruediger iu bashkua Realit si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Chelsean, ndërsa mesfushori Aurelien Tchouameni u transferua nga Monaco. Megjithatë, nëse Benzema mbetet në top formë edhe për sezonin 2022/23, atëherë Real Madridit nuk do t’i mungojnë sukseset me lojtarët që ka në ekip.

Sezoni i Real Madridit fillon më 10 gusht në Superkupën e UEFA-s kundër Eintracht Frankfurtit, ndeshje kjo që luhet në Helsinki. Klubi do të luajë ndeshjen e tij të parë në ligën spanjolle më 14 gusht në udhëtim te Almeria e kthyer në elitë.